Beteja për kreun e LDK-së – Haziri, Quni apo Abdixhiku, kush do të fitojë


Deri më tani janë tre emra të mëdhenj të Lidhjes Demokratike të Kosovës që kanë shpallur publikisht synimin e tyre për ta marrë kreun e kësaj partia. Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Anton Quni janë kandidatët e vetëshpallur për kryetar të LDK, parti e cila do t’i mbajë zgjedhjet me 14 mars.
Kanë mbetur pak ditë kur do të bëhet i ditur emri i udhëheqësit të ri të LDK-së. Të dielën e 14 marsit partia e udhëhequr nga Isa Mustafa do ta mbajë Kuvendin Zgjedhor ku pritet të zgjidhet lideri i partisë më të vjetër në Kosovë.

Por kush janë tre kandidatët që kanë shpallur synimin e tyre për ta marrë LDK-në, e cila pësoi humbjen më të thellë elektorale në historinë e saj të ekzistencës si parti duke fituar vetëm 13% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Lutfi Haziri sot ka shpallur kandidaturën e tij për të parin e LDK-së.
Haziri është aktualisht kryetar i komunës së Gjilanit, të cilin qytet e udhëheq që nga viti 2013 kur si kandidat i LDK-së e mposhti Partinë Demokratike që nuk dinte humbje për 2 mandate.

Haziri është veteran në LDK e në politikën kosovare pasi që ai është pjesë e partisë, të cilën po tenton ta udhëheq si kryetar, që nga themelimi i saj.
Si pjesë e karrierës së tij të gjatë në politikë, Haziri ndër vite ka qenë zëvendës kryeministër, ministër e deputet i LDK.
Ai mbahet mend si një nga ministrat e rinj në koalicionin me AAK-në në vitin 2004 kur udhëhoqi për disa vite Ministrinë e Administrim të Pushtetit Lokal.

Më i vonshëm në LDK se Haziri është kundërkandidati i tij Lumir Abdixhiku.
Edhe ai sikurse Haziri ka shpallur sot kandidaturën për t’u bërë udhëheqës i LDK-së.
I shkolluar për ekonomi, Abdixhiku është ndër deputetët më të votuar në LDK në zgjedhjet e fundit.
Ndonëse i renditur në vendin e 11, Abdixhiku arriti të marrë mbi 25 mijë vota duke u renditur vetëm pas Avdullah Hotit, që ishte kandidat i LDK-së për kryeministër, dhe Kujtim Shalës, i renditur në vendin e dytë në listën e LDK-së.
Abdixhiku ka qenë deputet i LDK-së për disa mandate.

Para se të anëtarësohej, ai ka qenë kolumnist i rregullt në gazetat kosovare dhe ligjërues në RIINVEST.
Shpesh profesori i ekonomisë është përmendur si kandidat i mundshëm i LDK-së për kryetar të Prishtinës, qytetit dikur bastion i kësaj partie.
Abdixhiku është i ri në moshë (38 vjeçar) dhe ai shpesh është konsideruar si udhëheqës i të rinjve në LDK, që njihesh edhe si ‘Brezi i Republikës’.

Kandidati i tretë që ka shpallur synimin për ta marrë timonin e LDK-së është Anton Quni.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, konsiderohet si krahu ‘ushtarak’ i partisë që e themeloi pacifisti Ibrahim Rugova.
Ushtaraku i karrierës, që ishte një nga udhëheqësit e lu*ftës së Koshares të 1999, është deputet i zgjedhur i LDK-së në zgjedhjet e fundit.
Ai për disa legjislatura me radhë ka qenë ndër deputetët më të votuar nga radhët e partisë që u themelua në vitin e largët 1989.

Në zgjedhjet e fundit Quni mori afërsisht 15 vota.
Me 14,840 vota të fituara në zgjedhjet e 14 shkurtit, Quni është ndër më të votuarit e LDK-së në procesin elektoral ku fitues doli Vetëvendosje.
Quni që vjen nga dega e LDK në Prizren ka qenë i pari që ka shpallur kandidaturën e tij për t’u bërë kryetar të LDK-së.

Krahas kandidimit për kryetar të LDK-së, Quni e Abdixhiku kanë edhe një gjë tjetër të përbashkët. Të dy ishin pjesë e Qeverisë Kurti që zgjati vetëm 50 ditë.
Quni ishte ministër i Mbrojtjes ndërsa Abdixhiku udhëhoqi Ministrinë e Infrastrukturës. Ky i fundit nuk pranoi të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti, e cila u votua në mes të pandemisë COVID-19 dhe pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.
Kujtojmë që zgjedhjet e LDK-së mbahen me 14 mars pasi Mustafa dha dorëheqje si pasojë e humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Baby Boo