Bërnabiç nuk pranon njohjen e Kosovës në këmbim të BE-së


Në seancën e miratimit të përbërjes së qeverisë së re në kuvendin e Serbisë, kryeministrja Ana Bërnabiç, ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën e as në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Ne nuk do të pajtohemi për gjithçka që të jemi pjesë e BE-së, por në aspektin e demokracisë, sistemit politik, ai është më i miri për qytetarët tanë. Mbetemi të përkushtuar për dialogun me Prishtinën, por se para çdo marrëveshjeje, krejtësisht natyrshëm dhe logjikisht, duhet të zbatohet plotësisht themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, me të gjitha kompetencat qe rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit pa vonesa të mëtejshme, sepse kanë kaluar gati 10 vjet nga nënshkrimi zyrtar”. Bërnabiç përsëriti edhe një herë ftesën për Kosovën që të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur.

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale për të ruajtur paqen, për të vijuar ndërtimin e një rajoni më të lidhur, më të hapur ekonomikisht, më të qëndrueshëm dhe më të begatë. Ne do të vijojmë që të punojmë për ta zgjeruar nismën e Ballkanit të Hapur dhe shpresoj që Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina do të bashkohen zyrtarisht me ne së shpejti. E përsëris edhe një herë se kjo iniciativë është e hapur edhe për Prishtinën, sepse duam që të sigurojmë një dialog për temat më të rëndësishme për cilësinë e jetës së të gjithë njerëzve në këtë rajon, dhe rrjedhimisht për sigurinë e serbëve në Kosovë”.

Sipas Bërnabiç në dy vitet e fundit, tetë vende të tjera i kanë dorëzuar Serbisë tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në Kuvendin e Serbisë, gjatë debatit për qeverinë e re, për pak sa nuk ka pasur përleshje fizike mes deputetëve të Partisë Popullore dhe Partisë Progresive Serbe ku deputetët u ngritën nga vendet e tyre dhe u mjaftuan në fund vetëm me fyerje ndaj njëri-tjetrit.

Baby Boo