Berisha e thotë me bindje: Që nesër, në zgjedhje të lira fitoj dyfishin e Edi Ramës


Kryedemokrati Sali Berisha është i bindur se do ta rrëzojë qeverinë Rama me mosbindje civile. Sonte në “Opinion” ai ka deklaruar se kjo diktaturë përmbyset me një opozitë që sipas tij në zgjedhje të lira do të dalë fituese.

-A mendoni ju realisht që votuesit shqiptarë janë të predispozuar t’ju votojnë ju përpara Ramës?

Sali Berisha: 100 herë përpara!

Sali Berisha: A nuk shpërndau Rama 683 mijë zarfe me nga 50 mijë lekë për votim?

-Këtë nuk e di, që zgjedhjet kanë pasur probleme po..

Sali Berisha: Do i marrim një nga një se më the votojnë atë. Po të më kapë ai duke shpërndarë 683 mijë zarfa, po të përdor miliona euro nga fondet publike për 61 kandidatët e partisë, po të jap dhjetëra mijëra leje legalizimi, po të shpërndaj qindra milionë investime në katër anët për zhavorr e asphalt, këto janë shkelje flagrante të zgjedhjeve të lira. Të garantoj që nesër në zgjedhje të lira Sali Berisha fiton dyfishin e Edi Ramës.

Jonida Shehu: Retorika politike besoj është e njëjta. Nuk ka ndryshuar asgjë. Me shumë mundësi nga e Hëna e tutje ju nuk do keni mundësi të jeni deputet, ky është një fakt që në karrierën tuaj politike, në moshën tuaj duhet pranuar më në fund dhe mbase duhet gjetur një zgjidhje për demokratët. Duket sikur ju doni të rrëzoni Ramën nga pushteti, por nëse ka një pikë ku socialistët bëhen bashkë është pikërisht kur përballë kanë Sali Berishën. Nuk e di kur do kuptohet nga PD, nga ju, nga të tjerët që duhet ta pastrojnë atë, që duhet gjetur një rrugë tjetër dhe jo kjo që nuk sjell asgjë të re.

Sali Berisha: Në themel analiza juaj ka një defiçit të tmerrshëm, ti flet për një vend ku bëhen zgjedhje normale, ku nuk vidhen zgjedhjet, ku kryeministri nuk blen…Ky vend është ai që them unë, ai që thua ti është një vend që nuk ekziston në Shqipëri.

Jonida Shehu: Po flas për realitetin që shohin njerëzit përtej asaj që shihni ju…

Sali Berisha: Këtu është diktaturë zonjë.

Jonida Shehu: Po mirë quajeni diktaturë, po ju nuk e hiqni dot këtë diktaturë.

Sali Berisha: Unë bëj analizë me fakte. Ky është pushteti i Bajrëve…

Jonida Shehu: Kush do ta rrëzojë këtë pushtet?

Sali Berisha: Opozita e vendosur, ajo që mori gjysmë milioni vota.

Jonida Shehu: Kush do ta organizojë, pse kjo parti sot është asgjëkundi?

Sali Berisha: S’ka analizë më mjerane se kjo!

Jonida Shehu: Ju mund ta quani dhe zuzare se janë terma të relativizuar në fjalor…Nuk më bën përshtypje kjo gjë.

Sali Berisha: Nuk rrëzohen dot ato 500 mln euro të shpërndara në kundërshtim me ligjin. /tvklan.al

Baby Boo