Berim Ramosaj e quan fëmijëror vendimin e Qeverisë për taksën ndaj Serbisë


Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, e ka quajtur fëmijëror, të pamenduar mirë dhe të ngutur vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës për importimin e mallrave serbe në vlerë prej 100 për qind.

Në Express Intervistën në KTV, Ramosaj ka thënë se Qeveria e Kosovës me këtë vendim ka dhënë përshtypjen e një sjelljeje reaktive e joracionale.

“Nëse e shohim në aspektin jo shumë lokal sjellja e tillë e jona ma jep përshtypjen e një sjellje reaktive, joracionale. Duhet të ketë vendime proaktive për t’u treguar qeveri e një vendi funksional. Lojërat e karakterit politik duhet të shikohen nën prizmën se sa i sjellin benefite apo dëme vendit. Në raportet ekonomike me Serbinë nuk duhet të harrojmë se s’jemi të vetmit akterë që veprojmë në këtë treg, apo regjion. Kemi përgjegjësi sociale ndaj komunitetit regjional apo evropian sepse jemi pjesë e organizatave. E duhet të kuptojmë se vëzhgohemi me llupë për sjelljet e shtetit që jemi në fazë të funksionalitetit. Sjellje të tilla janë fëmijërore në kuptimin e reaksionit të momentit. Qeveria merr vendime duke u mbështetur në politikë të caktuar. Secili vendim duhet të rrjedhë nga një politikë ekonomike e menduar më herët. Kjo është qasja proaktive, jo reaktive siç është bërë në këtë rast”, ka thënë ai.

Sipas tij, impakti i kësaj takse mund të vërehet vetëm në periudhë afatgjate. Ka thënë se humbës janë qytetarët e Kosovës dhe prodhuesit që marrin lëndën e parë nga Serbia. Fitues, sipas tij, do të jenë buxheti dhe shtetet tjera dhe kontrabandistët.

“Me taksën 100 për qind mendoj se humbësit më të mëdhenj kanë me qenë klientët, konsumatorët kosovarë, prodhuesit kosovarë që kanë bazën në lëndën e parë që vjen nga Serbia dhe padyshim humbës në afat të gjatë mund të jetë edhe dekurajimi apo shkalla e ulët e motivimit apo mospjesëmarrja e prodhuesve vendorë në një treg siç është Kosova. Përfituesit më të mëdhenj nga këto shkalla tarifore apo forma të tilla të veprimeve administrative, janë: në radhë të parë buxheti i Kosovës sepse e inkason direkt atë shifër, nëse hyn. Nën dy do të jenë përfitues edhe prodhuesit të tjerë jashtë Serbisë, që pretendojnë për treg Kosovën. Së fundmi, përfitues të mëdhenj mund të jenë edhe kontrabandistët që bëjnë evazion, në kuptim të ikjes së doganës, apo formave aziatike të ikjes nga kjo tarifë. Kur shikojmë kush është humbësi dhe përfituesi potencial na qet në pah nevojën për sjellje proaktive dhe racionale”, ka shtuar Ramosaj.

Sipas Ramosajt, Qeveria është dashur të mendonte për disa veprime tjera para se të caktonte taksën 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia. Ka thënë se mund të bëhej një listë e produkteve nga Serbia e që mund të prodhoheshin edhe në Kosovë e të subvencionoheshin prodhuesit vendorë për t’i zëvendësuar ato produkte. Ai ka thënë se Kosova s’ka komoditetin për sjellje të tilla sepse në vend po pretendohet të zhvillohet treg i lirë.

“Mendoj se ka forma tjera të disiplinimit të Serbisë. Sjelljet e Serbisë janë shumë patriarkale dhe ortodokse në kuptimin e ruajtjes së tërësisë së vet e produkteve të veta. S’duhet të bimë grackë e kësaj çështje sepse duhet të japim shembullin e një shteti funksional që merr vendime racionale e të menduara mirë e që s’bien në kundërshtim me mjedisin e largët si Evropa e as të afërt si regjioni e tregu i brendshëm. Nëse taksa merret në kufi apo forma të tilla të taksimit, importuesit apo bizneset kosovare që janë importuese të atyre produkteve shkojnë në dy alternativa, ose taksën e faturojnë në produkte duke e paguar qytetari kosovar, ose nuk e faturojnë për të qenë kompetitiv në treg duke e mbajtur për vete për të dëmtuar bizneset kosovare”, ka shtuar ai.

Ramosaj ka thënë se ky vendim tregon sjellje të pamenduar mirë nga Qeveria. Sipas tij, kjo është sjellje aventuriere. Ka shtuar se për të marrë veprime të tilla duhet të ketë kapacitete ekonomike siç kanë shtetet tejet të zhvilluara, duke e marrë shembull SHBA-në.

Duke e quajtur veprim të shekullit të 19-të, Ramosaj ka thënë se vendimi i sotëm mund të ketë efekte negative për Kosovën. Ka thënë se Kosova që po monitorohet nga ndërkombëtarët mund të ketë probleme edhe në procese tjera të integrimit ndërkombëtar.

Baby Boo