Bekim Jashari: S’është ide e keqe propozimi për Muratin, por fillimisht është dashur të flasin me të


Emri i Murat Jasharit dje ishte temë e lajmeve vendore si kandidat për kryeministër në Qeverinë e përkohshme.

Kështu të paktën kanë propozuar disa figura kryesisht të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë shprehur se përfaqësuesi më i denjë për këtë post do të ishte njëri nga familja emblematike e kombit tonë, siç është Murat Jashari.

Rreth këtij propozimi, për klankosova.tv foli kushëriri i të lartcekurit, përndryshe edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili u shpreh se “për situatën ku jemi, ndoshta s’është ide e keqe”.

Megjithatë, ai mendon se për këtë fillimisht është dashur të njoftohej Murat Jashari dhe më pas të jepeshin deklarata mediatike.

​“Mendoj që është dashur të jenë pak më të kujdesshëm, me e thirr me fol me të e pastaj me e dhënë propozimin”.

“Paraprakisht është dashur të konsultoheshin me Muratin. Liburnin e dëgjova, apo kushdo qoftë qe e ka propozuar, besoj qe e ka pasur me qëllim të mirë, por ishte dashtë me u ulë e me bisedu me Muratin. Ma merr mendja që nuk kanë folur paraprakisht me të”.

“Për mua është një gjë e re që s’e ka biseduar askush deri sot, por për situatën ku jemi, ndoshta s’është ide e keqe. Nuk e di”.

“Megjithatë tash mendoj që është gjithçka vonë, se nesër është seanca për Qeverinë e re. Kanë pasur kohë mjaftueshëm prej kur është votuar shkarkimi i Qeverisë për këto ide e propozime”, u shpreh dje ai për klankosova.tv.

Baby Boo