BE nis vlerësimin e legjislaturës maqedonase


Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn vizitoi të martën Shkupin për ta filluar procesin e vlerësimit të legjislaturës maqedonase, para fillimit zyrtar të bisedimeve në qershorin e 2019-ës të këtij vendi me BE-në. Zoti Hahn mori pjesë në mbledhjen e qeverisë ku e ka paraqitur planin për rrjedhën e këtij vlerësimi.

Ai theksoi se vendimi i Këshillit Evropian për datën e negociatave për Maqedoninë është miratuar nga krerët e shteveve anëtare të BE-së, ndërsa tha se ftesa për në NATO është një kthesë e rëndësishme për këtë vend në rrugën euroatlantike, për çka tha se përfitojnë qytetarët në aspektin e sigurisë dhe të mirëqenies.

“Me që qytetarët e këtij vendi u treguan të përcaktuar dhe elastik përgjatë shumë viteve të vështira, tani ju keni sjellë shpresa në të gjithë rajonin dhe jo vetëm për vendin tuaj; Dhe keni vendosur një shembull që duhet t’i inkurajojë të tjerët si t’i zgjidhin konfliktet në mes veti”, tha komisioneri evropian.

Ai lavdëroi autoritetet qeveritare për angazhimet në këtë drejtim që çoi në realizimin e asaj për çka shumë kush mendonte se është e paparamendueshme, siç u shpreh. Zoti Hahn e cilësoi marrëveshjen me Greqinë si një hap të madh përpara për çka tha se vendi ka mbështetjen e tij të vazhdueshme për hapat tjerë që pasojnë. Marrëveshja i kontribuon paqes dhe stabilitetit, theksoi zyrtari i lartë evropian.

“Por varet nga ju, qytetarë të këtij populli krenar që të vendosni për të ardhmen dhe fatin e shtetit në mënyrë të lirë dhe sovrane. Dera e Bashkimit Evropian është gjerësisht e hapur, por jeni vetëm ju që vendosni se a do ta kapni këtë mundësi”, tha komisioneri, ndërsa inkurajoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike për të marrë pjesë në referendum.

Ai u bëri thirrje sidomos të rinjëve që ta shfrytëzojnë mundësinë për ta shprehur të drejtën e tyre në referendum. Vendimet duhen të jenë të efektshme për të rinjtë, theksoi zoti Hahn.

“Çdo votë vlenë, çdo votë numërohet. Bëhet fjalë për vendin tuaj; për të ardhmen tuaj”, tha komisioneri.

Ai tha më tej se reformat që kanë të bëjnë me BE-në kanë shënuar përparim me arritjen e Marrëveshjes së Përzhinës; “Tash duhet përqendruar në reformat e fushave të tjera. Po fillojmë punën përgatitore për negociatat në qershor të vitit 2019 dhe për të njoftuar fillimin zyrtar të procesit të vlerësimit të legjislaturës”, tha z. Hahn.

Ai theksoi se duhet një bashkim i përgjithshëm dhe konsensus i vërtetë evropian rreth synimeve strategjike që janë integrimet euro-atlantike të Maqedonisë, së cilës ai megjithatë nuk ia zë emrin. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive veçanërisht në aspektin e sundimit të ligjit, në reformën e shërbimeve inteligjente dhe administratës publike.

Këto do të jenë fushat të cilat do të mbikqyren në veçanti.

Ndërkohë, Qeveria e emëron Bujar Osmanin, zv.kryeministër për çështje evropiane, si negociator kryesor politik dhe shef të delegacionit për bisedime me BE-në, ndërsa si zëvendës të tij dhe shef të pjesës teknike të negociatave e emëron Bojan Mariçiçin, aktualisht këshilltar i kryeministrit.

“Negociatat janë detyrë historike për institucionet dhe të gjithë shoqërinë. Ky proces do të udhëhiqet nga qeveria, por aty do të marrin pjesë edhe parlamenti, gjykatat, opozita, shoqëria civile, komuniteti i biznesit dhe media”, tha kryeministri maqedonas Zoran Zaev.

“Duhet ta dijë Federata Ruse se nuk ka alternativë për Republikën e Maqedonisë përveç se anëtarësimit fuqiplotë në BE dhe NATO, ndërsa ne do të shëndrisim në aspektin e ngritjes së miqësive me të gjithë”, u shpreh Zaev pas përplasjeve verbale dje me ambasadën ruse, e cila mohonte përfshirjen e agjentëve ose biznesmenëve rusë në nxitjen e rrymave radikale në Maqedoni kundrejt pagave për të krijuar parregullsi gjatë protestave kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Komisioneri Hahn u takua edhe me Talat Xhaferin, kryetar i parlamentit dhe me shefin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, ndërkohë që mori pjesë edhe në punimet e Komisionit parlamentar për Çështje Evropiane.