BE-ja do të shpall sanksione të reja kundër Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës


Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se udhëheqësit e bllokut 27 vendesh do të diskutojnë sanksione të reja, të ashpra ndaj Rusisë në një takim urgjent më vonë të enjten, si reagim ndaj “sulmit barbar” të saj ndaj Ukrainës, transmeton VOA.

Forcat ruse qëlluan me raketa në disa qytete në Ukrainë dhe zbarkuan trupa në territorin e saj të enjten, thanë zyrtarët dhe mediat, pasi presidenti Vladimir Putin autorizoi atë që ai e quajti një operacion i posaçëm ushtarak.

“Presidenti Putin është përgjegjës për kthimin e luftës në Evropë”, tha shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke shtuar se BE-ja do ta mbajë “përgjegjës për këtë”.

“Me këtë paketë (sanksionesh), ne do të synojmë sektorët strategjikë të ekonomisë ruse duke bllokuar qasjen e tyre në teknologjitë dhe tregjet thelbësore”, tha ajo. “Ne do të dobësojmë themelet ekonomike të Rusisë dhe kapacitetin e saj për t’u modernizuar”.

Përveç kësaj, tha ajo, “ne do të ngrijmë pasuritë ruse në BE dhe do të ndalojmë qasjen e bankave ruse në tregun financiar evropian”.

BE-ja miratoi një raund të parë sanksionesh të mërkurën, duke përfshirë në listën e zezë politikanë rusë dhe duke ndaluar tregtinë midis BE-së dhe dy rajoneve separatiste të Ukrainës lindore, pavarësinë e të cilave e njohu presidenti rus Putin.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se masat e reja që do të diskutohen në një takim në orët e mbrëmjes të udhëheqësve të bllokut, do të jenë “paketa më e ashpër e sanksioneve që kemi zbatuar ndonjëherë”.

“Kjo është ndër orët më të errëta për Evropën që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore… Udhëheqja e Rusisë do të përballet me izolim të pashembullt”, tha ai, ndërsa paralajmëroi një paketë të re ndihmash për Ukrainën.

Baby Boo