“BE dhe Maqedonia e Veriut: Mirseerdhët në qorrsokak”


Pas 17 vjet pritjeje MV hodhi një hap tjetër për antarësim në BE. Fakti që askush nuk po e feson si sukses ka të bëjë me kushtet absurde që kërkohet të plotësojë ajo në këtë rrugë të vështirë, mendon Boris Georgievski.

Sipas Eugène Ionesco-s, “absurde është ajo gjë që nuk bën asnjë propozim, që nuk ka ndonjë synim ose ndonjë objektiv”. Teatri absurd, përfaqësuesi më i rëndësishëm i të cilit është ky shkrimtar rumuno-francez, është epiteti më i mirë që mund t’i vihet marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut (MV) dhe Bashkimit Europian.

Në marrëdhëniet e vështira midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, absurditeti nuk është ndonjë synim, por propozimet e bëra nga BE-ja janë kthyer në absurditet. Tingëllon e komplikuar, dhe në fakt e tillë është.

Përfaqësuesit më të lartë të Maqedonisë së Veriut dhe të BE-së, zhvilluan të martën (19.07), më 19 korrik në Bruksel, të ashtuquajturën konferencë ndërqeveritare, Intergovernmental Conference. BE ka 27 anëtarë, dhe katër vende të tjera që ndodhen në proces negocijimi, Turqia, Serbia, Mali i Zi dhe së fundi edhe Shqipëria. Të gjitha këto vende kanë mbajtur konferenca ndërqeveritare, pas të cilave ka filluar zyrtarisht procesi i negocijimit të pranimit në BE. Por Maqedonia e Veriut, e cila është bërë vend kandidat për t’u pranuar në BE në vitin 2005, nuk do të fillojë me negocijimet pas konferencës së sotme. Ndryshe nga vendet e tjera, Maqedonia e Veriut do të fillojë me atë që fjalori i Brukselit zyrtar e quan: fillim i procesit të hapjes së negociatave.

Për të hapur tani negociatat e pranimit, Maqedonia e Veriut do të duhet të ndryshojë Kushtetutën dhe ta bëjë minoritetin bullgar, si pjesë përbërëse të vendit. Por në Parlamentin maqedonas nuk ekziston ndonjë shumicë prej dy të tretash, që të jetë në favor të ndryshimit të Kushtutës. Jo vetëm opozita nacionaliste, por edhe intelektualët dhe politikanët pro-perëndimorë besojnë se kjo gjë do të shtonte orekset e Sofjes.

Kërkesat e bullgarëve
Të diskutueshme nuk janë vetëm futja e bullgarëve në Kushtetutë, por edhe çdo gjë tjetër që Bullgaria kërkon nga fqinji i tij në Ballkan.

Pjesa më e madhe e maqedonasve në Maqedoninë e Veriut janë ofenduar, sepse Bullgaria nuk i njeh ata si komb dhe nuk e pranon gjuhën e tyre. Me ndihmën e Francës, e cila mban kryesinë e BE dhe të vendeve të tjera europiane, Bullgaria ka arritur të imponojë interpretimet e veta të ngjarjeve historike si kusht për progresin e Maqedonisë së Veriut në negociatat me BE, Negotiating Framework, dokumentin bazë dhe udhërrëfyesin që duhet të shoqërojë Maqedoninë e Veriut në procesin e bisedimeve me BE.

Termi “absurd” të vjen në mendje kur lexon Negotiating Framework. Ajo duket si një deklaratë e njëanshme bullgare, ku pretendohet se gjuha maqedonase nuk ekziston, dhe se ajo është një dialekt i gjuhës bullgare. Kërkesa të ngjashme bëhen për pjesën më të madhe të figurave historike, që nga Mesjeta e deri në fillim të shekullit të 20-të, që ndodhen në librat e shkollave në Maqedoninë e Veriut. Bullgaria insiston që mbretërit dhe revolucionarët e këtyre periudhave të identifikohen si bullgarë etnikë.

Dhe kjo nuk është diçka që po zhvillohet në fshehtësi ose larg syve të pjesës tjetër të botës. Gjatë vizitës së tij në Berlin, më 16 maj, Presidenti bullgar Rumen Radev deklaroi publikisht se: “Ne nuk do të lejojmë që “maqedonizmat” të legjitimohen në BE”. Për politikën dhe shkencën bullgare, “maqedonizmi” është një ideologji, e cila pas Luftës së Dytë Botërore i ktheu “artificialisht” dhe me forcë bullgarët në maqedonas. Gjë që të supozon se gjatë historisë, sidomos asaj europiane, ka pasur shembuj të krijimit “natyror” të kombeve dhe gjuhëve.

Kundërshtar apo partner?
Megjithë këtë mosmarrëveshje historike, Bullgaria vazhdimisht ka votuar pro fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE, që nga viti 2019. Tani BE ka dalë me atë që quhet “kompromis europian”, propozimet e formuluara atje e kthejnë mosmarrëveshjen bilaterale midis dy vendeve të Ballkanit në një problem të BE-së.

Kur në vitin 2018, Maqedonia ndryshoi emrin në Maqedoni e Veriut për të kënaqur kërkesat e Greqisë, e cila ashtu si Bullgaria ndihej e cënuar në historinë dhe identitetin e saj, Maqedonisë iu premtua hapja e rrugës së pranimit në BE. Tani asnjë nuk beson më në premtime të tilla.

Brukseli shpresonte që fillimi i negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë t’i tregonte angazhimin e tij për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të rriste imazhin duke ndaluar në të njëjtën kohë ndikimin e Rusisë. Por rezultati i arritur është e kundërta, është rritja dramatike e ndjenjave anti-europiane në Maqedoninë e Veriut dhe rritja e popullaritetit të partive pro-ruse të vendit.

Të dyja, si BE ashtu edhe Maqedonia e Veriut janë futur tani në qorrsokak. Nëse Maqedonia e Veriut do të dojë të vazhdojë rrugën europiane, do i duhet që të bjerë dakord me kërkesat poshtëruese të bullgarëve. Alternativat para të cilave ndodhet Maqedonia e Veriut janë ose që të mos negociojë për çështjen e identitetit dhe të mos hyjë në BE, ose të pranojë që qytetarët e saj të mos jenë kurrë në gjendje të hyjnë në BE si maqedonas me gjuhën e tyre. Nëse vendet e BE mbështesin kërkesa të tilla, shpejt do të arrihet që në vend që të shtojnë partnerët e Europës, të shtojnë kundërshtarët edhe me një vend tjetër./DW

Baby Boo