BDI u bëri thirrje partive shqiptare të mbështesin projektin Kryeministër Shqiptar


Siç e dini tani më, ajo dramë e vogël dhe pasiguria rreth ditës së zgjedhjeve tashmë ka përfunduar dhe më lejoni të shpreh kënaqësinë time që krahas gjithë presionit të madh dhe histerisë së panevojshme në publik, përsëri e bëmë këtë në mënyrën e drejtë: në mënyrë inkluzive, me konsensus, përmes një kompromisi të ndërtuar. Duke vepruar kështu, ne u
siguruam qytetarëve mundësi që – më 15 korrik – me të vërtetë të kenë një zgjedhje thelbësore për atë se kujt do ia japin besimin t’i përfaqësojë në katër vitet e ardhshme; por, gjithashtu e kursyem vendin nga një krizë e re politike, e cila besoj se pajtohemi, në momente të këtilla me të vërtetë nuk na duhet.

Dhe tani, kur e përfunduam këtë, është gjë e përgjegjshme ndaj qytetarëve që ti formojmë në tërësi dhe ti prezantojmë platformat politike me të cilat do e kërkojmë besimin e tyre. Tashmë ju e dini që shtylla e platformës sonë zgjedhore, oferta kryesore politike e BDI-së për qytetarët, është të sigurojmë mbështetje politike, të krijojmë kushte, atmosferë që, pas zgjedhjeve të fitojmë edhe Kryeministrin e parë – shqiptar. Dhe, qe, më lejoni që edhe unë të prononcohem – kjo është një ofertë e mirë në të cilën unë besoj dhe e mbështes fuqimisht.

Kjo, padyshim do të nënkuptojë rrënimin e simbolit të fundit të stereotipit monoetnik gjatë ndarjes së funksioneve kryesore në shtet. Unë personalisht, pata privilegjin të tregoj se ky bëhet fjalë për një stereotip të imponuar, për një padurim të instaluar dhe mosbesim gjatë emërimit tim si Kryetar i Kuvendit. Sot, askush më nuk ndjen as kërcënim, as ndonjë mangësi nga fakti që një shqiptar qe tre vjet e udhëheq Kuvendin, dhe nëse më lejoni të jem jo modest – një rol që mendoj se e kam kryer mirë. Për më tepër, unë mendoj se në disa momente thelbësore – ishte një avantazh i vërtetë që unë nuk isha pjesë e partive kryesore të maqedonasve etnikë, që më mundësoi të veproja si një arbitër, një platformë e cila siguroi kushte për të ndërtuar konsensusin e sotëm.

Kjo më jep të drejtën, me gjithë përvojën e fituar, por edhe me gjithë kredibilitetin personal, të qëndroj edhe më fortë edhe pas kësaj ideje – Republika e Maqedonisë së Veriut të fitojë Kryeministrin e parë – shqiptar. Në të njëjtën kohë, na lejoni të jemi të sinqertë – për mua kjo është shumë më tepër sesa një platformë zgjedhore. Dhe, padyshim nuk është vetëm për mua – nuk ka kaluar as edhe një javë nga shpalosja e kësaj ideje, dhe tashmë kjo temë është biseda kryesore Çarshi, nëpër tregje, nëpër shtëpitë tona, tema kryesore e debatit në rrjetet sociale dhe nëpër media. Ajo që më bën edhe më të lumtur është se kjo ide është pranuar më shumë nga të rinjtë, sepse ata janë ato që duan të jetojnë në një shoqëri pa stereotipa për atë se: kush janë, cila është tradita, kultura e tyre, çfarë gjuhe flasin, në cilën fe besojnë etj, sepse ata duan të jetojnë në një shtet që me të vërtetë ofron mundësi të barabarta
për të gjithë, pa asnjë kufizim ose privilegje për askënd.

Nëse jemi tërësisht të sinqertë, ideja për një Kryeministër – shqiptar, me siguri më së shumti diskutohet edhe në selitë e konkurrentëve tanë politikë, të cilët, ashtu si edhe ne, po luftojnë për votat e shqiptarëve. Dhe, nuk po e them këtë me ironi ose nënqeshje, por sepse sot dua t’ju drejtohem edhe atyre:

Është e vërtetë se ideja për Kryeministrin e parë – shqiptar erdhi nga BDI-ja, por kjo nuk duhet të jetë një handikap për t’u bashkuar rreth kësaj ideje fisnike.

Hajde së pari ne, partitë e shqiptarëve në shtet, të bashkohemi rreth kësaj ideje, t’i japim asaj një parashenjë mbipartiake, dhe kështu të inkurajojmë shqiptarët që edhe një herë të bashkohen rreth interesave të tyre.

Për të qenë preciz, ne ofrojmë një Kryeministër – një shqiptar, jo me çdo çmim një Kryeministër nga BDI-ja! – dhe kjo është një dorë e shtrirë, veçanërisht ndaj partive të shqiptarëve, që të qëndrojmë së bashku pas kësaj ideje. Këtu, sot, ne dërgojmë një ofertë publike se heqim dorë nga ekskluziviteti i kësaj ideje: Le të formojmë një platformë të përbashkët, një deklaratë të përbashkët, të premtojmë, të japim besë para qytetarëve se të gjithë ne, deputetë të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm, obligohemi se do ia japim mbështetjen asaj shumice politike në Kuvend e cila do eë pranojë dhe zbatojë këtë ide. Kjo është një ofertë serioze, është një vendim i guximshëm politik, por ju siguroj, është edhe mënyra më e mirë për të rikthyer besimin e shqiptarëve në politikë, tek ne politikanët, që pavarësisht nga
mosmarrëveshjet tona, në momentet kryesore, për çështje kyçe, të tregojmë se kemi kapacitetin dhe virtytin për t’u bashkuar në interes të qytetarëve.

Baby Boo