BDI reagon ndaj deklaratave të Mexhitit: Tentativë për t’i ikur përgjegjësisë për krimin e bërë me objektet pa leje


Bashkimi Demokratik për Integrim i është përgjigjur kryetarit të LD-së, Izet Mexhiti, pasi ky i fundit në emisionin ClickPlus në TV21 tha se eksponentë të BDI-së kanë ndërtuar “ndërtime të egra” në Çair, e që janë legalizuar si për të gjithë qytetarët më pas nga komuna e Çairit. Mirëpo, nga BDI thonë se Mexhiti ka bërë krim me legalizimet e objekteve dhe ndërtesave në Çair dhe po tenton t’i ikë përgjegjësisë.

“Izet Mexhiti botërisht pranoi në televizion se vendimet për legalizimet e objekteve apo ndërteseve i ka marrë si kryetar i komunës dhe me preferenca politike/korruptive, e jo në mënyrë strikte siç e parashikojnë dispozitat ligjore dhe nënligjore. Parashtrojmë pyetjen se pse ai, nëse e ka ditur se po bën shkelje të rëndë ligjore ka vendosur të nënshkruajë aktet e legalizimit të objekteve që po i përmend bashkë me mbi 30 ndërtesa kolektive të ndërtuara pas vitit 2011 dhe nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për rrënimin e tyre”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Tutje nga BDI thonë se vet Mexhiti ka vendosur për legalizimin e objekteve në fjalë, ndërsa theksojnë se kjo nuk është bërë në bazë ligjore dhe ftojnë organet e drejtësisë që të ndërmarrin masa.

Ftojmë organet e drejtësisë pas këtij pranimi flagrant të përgjegjësisë të veprojë sipas detyrës. Bashkimi Demokratik për Integrim potencon se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe për zbatimin e tij përgjegjës absolut janë bartësit e caktuar të funksioneve publike dhe në asnjë mënyrë faji për moszbatimin e ligjeve nuk duhet t’u hidhet qytetarëve”, thonë nga BDI.

Baby Boo