BDI kundër thirrjes së tryezës së partive shqiptare (VIDEO)


Edhe përkundër kërkesave të opozitës shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se nuk ka nevojë për thirrjen e tryezës së përbashkët të partive politike shqiptare në prag të referendumit. Integristët këmbëngulin se Marrëveshja me Greqinë nuk ka zbehur identitetin shqiptarë në Maqedoni por e ka bërë të kundërtën. Artan Grubi, u bën thirrje të gjithë partive shqiptare që të fokusohen në suksesin e referendumit, dhe siç thotë ai, të lihen anash politikat ditore. Sipas tij, takimi i vetëm i mundshëm mes partive politike shqiptare do të ishte i kalibrit informativ e jo tryezë nga e cila do të dilnin kërkesa për ndryshime kushtetuese apo ndryshim të Marrëveshjes me Greqinë.

Kjo temë është e ezaururar, është tashmë e konsumuar sepse të gjithë ne jemi pro NATOs dhe BE-së. Do të takohemi njëri me tjetrin për ta konfirmuar që jemi pro NATOs dhe BE-së. Nuk ka nevojë, sipas vlerësimit tonë në këtë moment, sepse kjo është përcaktim i votuesve dhe qytetarëve tanë shqiptarë dhe nuk kemi ne se çka të kalkulojmë me dëshirën e votuesit shqiptarë në RM. Ata duan që ta përkrahin referendumin, ata e duan integrimin në NATO dhe BE prandaj nuk shohim hapësirë për zhvillim të politikave ditore në lidhje me një çështje kaq madhore”- tha Artan Grubi – Bashkimi Demokratik për Integrim.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela krahas marrëveshjes me Greqinë kërkon takim të të gjithë liderëve të partive parlamentare, me qëllim, arritjen e një marrëveshje të re Shqiptaro-maqedonase. Ai, një ditë më parë paralajmëroi se në rast se referendumi merr mbështetjen e qytetarve, në procedurën e ndryshimit kushtetues të emrit, Aleanca për Shqiptarët do të propozojë që shqiptarët dhe gjuha shqipe të njihet si zyrtare në Maqedoni.

Ne nuk kemi qenë aktorë të përpilimit të kësaj marrëveshje. Përfaqësuesit shqiptarë që kanë qenë në përpilimin e kësaj marrëveshje nuk është dashur që të jenë vetëm kukulla të kësaj marrëveshje.  Qeverisë dhe shoqërisë këtu në Maqedoni i mungon edhe një marrëveshje e cila është shumë më e rëndësishme se sa këto marrëveshje të tjera, dhe kjo është marrëveshja e brendshme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni, shqiptarët dhe Maqedonasit” deklaroi Ziadin Sela , kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Lëvizja Besa e Kasamit ka deklaruar se takimi i liderëve shqiptarë është dashur të thirret para nënshkrimit të marrëveshjes në mes Maqedonisë dhe Greqisë, për t’i diskutuar pasojat e mundshme mbi identitetin shqiptar nga po e njëjta marrëveshje. Edhe nga Besa e Gashit nuk mohuan nevojën e një takimi me përbërje të tillë, mirëpo vlerësojnë se më me rëndësi është rezultati pozitiv i referendumit, gjë për të cilën thonë se edhe e braktisën opozitën. Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare e nënshkruar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare parasheh arritjen e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, përkrahja e punës së paanshme për Prokurorinë Speciale Publike, arritjen e barazisë ekonomike dhe shume pika tjera të parealizuara deri më tani. Tryeza e përbashkët e partive politike shqiptare është e paraparë të funksionojë sipas parimit të rotacionit, por edhe pas disa vendimeve të rëndësishme shtetërore, ajo nuk është thirrur më nga asnjë parti pjesëmarrëse./alsat-m

Baby Boo