BDI: Krizës shëndetësore mos i shtojmë edhe krizë politike


Konferencë për shtyp e Bujar Osmanit:
Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë,

Siç e dini, mbrëmë përfundoi edhe dita e fundit e gjendjes së jashtëzakonshme, që ishte kushti themelor për ngrirjen e aktiviteteve zgjedhore në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por më lejoni të jem më i saktë – me përfun dimin zyrtar të gjendjes së jashtëzakonshme, për fat të keq, ne po hyjmë në një gjendje edhe më të madhe të jashtëzakonshme politike, që kërcënon të përshkallëzohet në një krizë politike që të paktën në këtë moment absolutisht nuk është e nevojshme!

Të filloj me radhë:

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë planifikuar tani, por qysh në vitin e kaluar, kur me konsensus politik u caktua 12 prilli si datë e përshtatshme për të gjithë faktorët politikë. Ndërkohë, papritur ne u ballafaquam me një krizë të thellë epidemiologjike dhe shëndetësore të quajtur COVID19, e cila solli me vete pasoja të thella sociale dhe ekonomike që duheshin adresuar urgjentisht.

Përsëri me një konsensus të gjerë, dhe përmes gjendjes së jashtëzakonshme të Presidentit Pendarovski, Qeverisë iu dhanë kompetenca të mëdha, kompetenca që sipas Kushtetutës i përkasin Kuvendit, për ta përgatitur vendin për ballafaqim me ato pasoja. Atë e bëmë në mënyrën më të mirë që dinim dhe që mund ta bënim, e bëmë në mënyrë transparente, kështu që qytetarët do të kenë mundësi që në zgjedhjet e ardhshme, mes tjerash, të japin vlerësim edhe
për këtë punë tonën. Ky është thelbi i demokracisë dhe i garës politike.

Por sot po përballemi me një sfidë të re – si ta rrumbullakojmë këtë situatë të panatyrshme, pa shkaktuar një krizë të re politike, të cilën, përsëris se vërtet nuk e kemi të nevojshme! Fundi i gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të thotë edhe fund i kërcënimit të epidemisë dhe i nevojës për tu ballafaquar në mënyrë efektive me pasojat e pandemisë,
por përkundrazi, kemi nevojë për një qeveri të qëndrueshme dhe të përgjegjshme, dhe një shumicë politike që do të marrë plotësisht përgjegjësinë për të gjitha sfidat që qëndrojnë para nesh.

Ndaj, më lejoni të theksoj – zgjedhjet sot i kemi shumë më shumë të nevojshme, se sa në dhjetor të vitit të kaluar, kur me konsensus vendosëm që të kemi zgjedhje të parakohshme!

Por njëkohësisht, zgjedhjet kanë kuptim vetëm nëse qytetarët me të vërtetë kanë zgjedhje për të zgjedhur përfaqësuesit që do t’i përfaqësojnë në Parlament. Demokracia nuk njeh garë politike në të cilën ju garoni vetë. Pa pjesëmarrjen e faktorëve përkatës politik, zgjedhjet në këto kushte do të jenë thjesht një krizë e re politike, e cila tek ne, më tej, sipas ndonjë rregulli, shndërrohet në një krizë institucionale, dhe më pas bëhet kërcënim për një krizë të mundshme sigurie. Do të ishte jashtëzakonisht e papërgjegjshme ta lejojmë këtë.

Të nderuar, Republika e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm që po qëndron para sfidës së ballafaqimit me pandeminë, por edhe para fillimit të shumëpritur të negociatave, që pritet të fillojnë diku para fundit të këtij viti. Për momentin, ato paraqesin prioritetin më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik të vendit, për çka gjithsesi, të paktën në mënyrë deklarative, kemi formuar konsensus. Nuk ka asgjë të zgjuar në atë që, projektin më të rëndësishëm për qytetarët të rrezikojë, vetëm për shkak të papjekurisë politike, për shkak të dinakërive politike dhe taktikave partiake, duke i vendosur interesat partiake përpara atyre strategjike. Dua të paralajmëroj për pasojat e këtij jo-serioziteti politik, sepse akoma ka mundësi, ka mënyrë, që të mos u përgatisim qytetarëve dhe vendit një paqëndrueshmëri të re politike, në një kohë kur pikërisht stabiliteti është arma jonë më e fortë.

Pres që sot të gjithë faktorët politikë të tregojnë qëndrimet dhe propozimet e tyre se si ata mendojnë se duhet t’i japim fund kësaj situate të jashtëzakonshme, por edhe t’u bëj thirrje liderëve politikë që t’i ngrijnë taktikat e zgjedhjeve dhe t’i japin prioritet seriozitetit në të cilin gjendemi. Dhe, pavarësisht nga fakti se përgjegjësia për këtë dështim eventual është tërësisht e jona, vendase, unë dua që tua bëj këtë thirrje edhe miqve tanë ndërkombëtarë. Këtu para së gjithash mendoj në partnerët tanë strategjik, ShBA-të, si dhe aleatët tanë të drejtpërdrejtë, Bashkimin Evropian – ndikimi i të cilëve, dhe mbi të gjitha autoriteti i tyre mes qytetarëve, mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm që të mos lejojmë një krize të re politike.

Baby Boo