BDI: Komuna e Tetovës shpërblen me tenderë milionëshe kompanitë e familjes Bajrami, të afërt me Lëvizjen Besa


Komuna e Tetovës shpërblen me tenderë milionëshe kompanitë e familjes Bajrami që janë të afër me udhëheqësinë komunale dhe Lëvizjen Besa. Kështu kanë reaguar sot nga Bashkimi Demokratik për Integrim, në lidhje me rastin për tenderët milionësh të Komunës së Tetovës ndaj tre kompanive: Eko-Peu, Ereu-Trans dhe Mujo Bajrami, për të cilat Portalb.mk raportoi para dy ditëve.

Nga BDI theksojnë se miliona euro nga buxheti i Komunës së Tetovës janë derdhur në llogaritë e tre firmave Eko-Peu, Ereu-Trans dhe Mujo-Bau që janë në pronësi familjes Bajrami.

“Këto firma kanë marrë tenderë ekskluzivisht nga Komuna e Tetovës dhe nga asnjë institucion tjetër. Ende më interesant është fakti që dy nga këto firma kanë vetëm nga një të punësuar, ndërsa kanë marrë miliona euro tenderë. Dyshimi rritet ende më shumë kur kuptohet se këto firma kanë veprimtari komplet të ndryshme nga punët të cilët obligohet t’i kryejnë sipas marrëveshjes së nënshkruar mes tyre dhe Komunës së Tetovës”, thonë nga BDI.

Ata theksojnë se pronarët dhe familjarët e afërt të këtyre kompanive nuk e fshehin lidhjen që kanë me udhëheqësinë e Komunës së Tetovës dhe Lëvizjen Besa duke publikuar fotografi nga mbledhje të ndryshme partiake.

“Intensiteti shkon edhe më larg kur shtojmë që shefi aktual i urbanizmit në Komunën e Tetovës është familjar dhe mik i pronarëve të kompanive të lartcekura dhe ish i punësuar në të njëjtën kompani që tani po marrin tenderë milionësh nga Komuna e Tetovës”, thanë nga BDI.

Ata akuzuan komunën për keqpërdorime dhe se shpërblen militantët partiakë, ndërsa apeluan te Prokuroria dhe Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit që të hetojë këto raste.

Baby Boo