BDI dhe LEN me oferta për ASH, Taravari para vendimit final


Koha e taktizimeve po kalon. 10 ditët e ardhshme duket të jenë ditët kur kreut të ASh-së Arben Taravari do t’i “zien koka” sepse duhet të sjellë vendimin përfundimtar për rrugën që do të marrë ASh, nëse bëhet pjesë e të a.q “fronti europian” bashkë me BDI-në, nëse e kthen timonin kah opozita shqiptare – Lidhja Europiane për Ndryshim, ose opsioni i tretë, të dalin vetë në zgjedhje.

Burime të TV21 thonë se Taravari nuk është i mendimit që ASh të dalë me lista të përbashkëta me BDI-në; por ky qëndrim i tij bie ndesh me atë të dyshes Sela-Lloga të cilët janë “pro” një bashkëpunimi të këtillë. Ka gjasa që kjo të bëhet “mollë sherri” mes tre figurave më të rëndësishme të partisë, kryetarit Taravari, kryetarit të Kuvendit partiak Ziadin Sela dhe sekretarit të përgjithshëm Krenar Lloga. Burimet tona po ashtu brifojnë se Taravari më tepër është për opsionin që ASh të bashkohet me LEN-in, e ky qëndrim edhe më tepër është përforcuar pas takimit me Albin Kurtin, për të cilin pat raportuar TV21.

Po cila është oferta e BDI-së dhe cila e LEN-it ndaj ASh-së, e cila duket të jetë bërë “çelësi” i fitores për dy kampet rivale?

Sipas burimeve të TV21, në takimin Ahmeti-Taravari në Gostivar, kreu i integristëve i ka ofruar atij 8 deputetë dhe 5 kryetarë komunash. Por përballë kësaj oferte me sa duket Taravari do ketë “rrudhur buzët”, pasi që shumica e kandidatëve për deputetë do të jenë të besueshmit e dyshes Sela-Lloga.

Nga ana tjetër, TV21 mëson se opozita e bashkuar shqiptare LEN, i ka ofruar ASh-së 5 deputetë (grup parlamentar). Përflitet edhe për ofertë 2 deri në 5 kryetarë komunash si dhe që Taravari të përzgjedhë kandidat për President nga radhët e opozitës.

Në rast se ASh i bashkëngjitet opozitës shqiptare, atëherë gara në zgjedhjet parlamentare në maj do të jetë interesante, pasi opozita garon edhe me përkrahjen e kryetarëve të komunave Çair, Tetovë dhe Gostivar, Visar Ganiu, Bilall Kasami e Arben Taravari.

Sa u përket bartësve të listave të LEN-it, me sa mësohet atyre do t’u prijnë liderët e tre partive koalicionuese – Izet Mexhiti (LD) në njësinë 1, Afrim Gashi (AAA) në njësinë 2, Bilall Kasami (LB) në njësinë 6 (këtu mund të prijë edhe Taravari nëse bashkohet me ta), ndërsa në njësinë e 5-të përflitet që bartës të jetë Bekim Qoku ose Fatmir Limani.

Përndryshe, si kandidat i mundshëm i opozites për President përflitet emri i Rufi Osmanit.

Baby Boo