Bashkë dhe me krenari – kështu u marshua sot në Prishtinë


“Bashkë dhe krenarë”, marshuan sot nëpër rrugët e Prishtinës pjesëtarë e përkrahës të komunitetit LGBTQ+, për të shënuar “Paradën e Krenarisë”. Me këngë e brohoritje, ata dolën në rrugë për të mbrojtur të drejtën e tyre për t’u dashuruar pa u paragjykuar dhe u cenuar nga të tjerët. Shënuan ditën e tyre, rrëfyen vështirësitë në të cilat hasin kur tregojnë se janë pjesë e këtij komuniteti, duke përçuar mesazhin se “dashuria është shumë e bukur, për t’u fshehur”

“Brenda vetes, gjithë jam ndi më ndryshe. Kur kam qenë 16-17 vjeç, e kam vërejtur që po më pëlqejnë meshkujt. E kam kriju një ide në kokën time se kjo nuk është në rregull, jam mundu ta ndryshoj veten, por e kam pa që është gabim”, kështu e nis rrëfimin e tij 24-vjeçari kosovar, pjesë e komunitetit LGBTQ+.
Fotografi e realizuar nga parada e sotme e Krenarisë
Ai ka deklaruar për Gazetën Express se kur ishte në moshë të re, ka tentuar ta ndryshojë veten, por e ka kuptuar orientimi i tij seksual nuk mund të ndryshohet.

“Unë jam 24-vjeçar. Jam nga Peja, por tani jetoj në Prishtinë. Në fillim ka ndikuar rrethi, kam tentu me e ndryshu veten, sa edhe kam provuar të bëj diçka me një femër, dhe kur kam tentuar, e kam parë që është gabim, nuk është në rregull, aty e kam kuptu që asgjë nuk shkon me zor, kam qenë vetvetja. E kam largu vetën prej homofobëve, kam kriju shoqëri të re”, ka deklaruar ai.

Ai thotë se të jesh pjesë e këtij komuniteti në Kosovë është e vështirë. Ai thotë se familja e përkrah në orientimin e tij seksual, por ka pasur raste kur nga të tjerët edhe është ndjekur e kërcënuar.
“Të jesh pjesë e komunitetit LGBT në Kosovë është shumë e vështirë. Shumë njerëz duan të jenë vetvetja, por nuk mund ta shprehin. Unë po nisnem prej vetes, kam vendosur të jem vetja, familja ime e di, më mbështesin shumë. Por në shumë raste më kanë kërcënuar, më kanë ndjekur, ka fjalë rrugëve, prej meshkujve dhe femrave, gjithë kam pritë që femrat me qenë më të mira, por jo nuk janë, njejtë janë”, ka deklaruar ai.

24-vjeçari thotë se ka shokë e shoqe që frikësohen ta pranojnë e deklarojnë hapur orientimin e tyre seksual, për shkak të paragjykimeve dhe frikës se familja mund t’i largojë nga shtëpia.
“Ka plot që frikësohen, kam shoqëri që duhet të qëndojnë diskret, sepse frikësohen se mund t’i largojnë prej shtëpisë, ose me i vra ose me i rrehë, sepse kanë ndodhur këto gjëra më herët. Unë s’jam frikësu, jam rritur në një ambient të sigurt dhe më kanë pranuar kështu siç jam”, ka deklaruar ai.

Ai thotë se ka raste kur edhe në vendet që rri, shikohet ndryshe nga të pranishmit, por tregon se në shoqërinë e tij ka edhe persona me orientim seksual të ndryshëm prej tij, por që shoqërinë ndërmjet tyre nuk e ndryshon ky fakt.
“Zakonisht kam shkuar në vende ku rrijnë të gjithë, ka pasur raste kur më kanë kthyer. Një herë kam qenë në një diskotekë, sigurimi më ka thënë “a je mashkull a femër”, më është drejtuar me fjalë banale, jam largu nga aty. Ka raste kur meshkujt që janë nëpër kafe, më shikojnë dhe më përqeshin. Unë shoqen time më të mirë e kam ‘straight’ (heteroseksuale)”, ka deklaruar 24-vjeçari.

Por, fatin e 24-vjeçarit nga Peja, nuk e ka pasur edhe një 16-vjeçare nga Prishtina. Ajo është pjesë e komunitetit LGBTQ+, por këtë fakt nuk ka guxuar të ia tregojë familjes së vet.
“Jo, familja ime nuk e di, po edhe me e ditë, nuk e kishin pranu. Shoqëria ime janë shumica si unë, por edhe ata që s’janë, na mbështesin dhe qëndrojnë pranë nesh”, ka deklaruar prishtinasja.
E kur pyetet nëse ndonjëherë do t’i tregojë familjes për orientimin e saj seksual, ajo thotë se nuk e beson se mund ta bëjë një gjë të tillë.
“S’e di, ndoshta, ama jo, s’e besoj”, ka deklaruar ajo.

Si pjesë e këtij komuniteti, jeta e saj në Kosovë nuk është shumë e lehtë. Thotë se gjatë gjithë kohës duhet ta fshehë orientimin e saj seksual, dhe kjo për të është e vështirë.
“Është boll e vështirë, se duhet me rrejt shumë. Shumicën e njerëzve, kur e di që s’janë pjesë e komunitetit, duhet me i rrejt. Shumica thonë se nuk janë homofoba, por në të vërtetë janë. Ju duket shumë problem që femrat me i desht femrat. Ka njerëz që jon krenarë dhe e thonë pa asnjë problem, por prapë është problem, sepse pavarësisht se jemi duke u zhvilluar si shtet, prapë ka me pasë njerëz që kanë me qenë kundër ekzistencës tonë”, ka deklaruar prishtinasja.

Ajo ka deklaruar për Gazetën Express, se është biseksuale, dhe nëse do të dilte në publik me një djalë, do të pranohej më lehtë, por një gjë e tillë nuk do të ndodhte nëse del me një vajzë.
“Për shembull, me e pas një të dashur, qyshdo që na identifikojnë, është e vështirë me bo publikisht me të sende, sepse nuk është e pranueshme. Unë jam biseksuale, nëse kisha bo me një djalë diçka, kërkush nuk më kish thënë kurrgjë, por me e bo me një çikë nuk ish kon e pranume. Është problem me bë gjëra që mund t’i bëjnë të tjerët, është problem se frikësoshet me ju tregu tjerëve. Pyetja e parë që ua bëj njerëzve është “a e mbështetni komunitetin LGBT”, nëse më thonë “jo”, e shoh sa mundem me folë me atë njeri e sa s’muj. Për ata që s’janë pranues, ju them se unë i mbështes, sepse kam shoqëri, këtë e gjej si arsyetim gjithë kohën”, ka deklaruar ajo.

16-vjeçarja thotë se kur ka qënë në moshë më të re, ka tentuar ta ndalojë veten për pëlqimin e saj ndaj vajzave, por nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë.
“Është edhe “internalised homofobia”, unë kur kam qenë e vogël e kam pasur shumë, nuk e lejojsha vetën me m’pëlqy çikat as kurgjo”, ka deklaruar ajo.

Një qytetar që kishte dalur në sheshet e Prishtinës për të përkrahur paradën e komunitetit LGBTi, ka deklaruar për Express se edhe pse nuk është pjesë e këtij komuniteti, e përkrah.
“Unë s’jam pjesë e komunitetit, por i përkrahi dhe dal çdo herë në mbështetje të tyre në këtë paradë. Është e drejtë e secilit t’i shpreh ndjenjat në mënyrën që do. Është e drejtë e secilit ta jetojë jetën ashtu si ndjehet dhe do, s’ka pse me m’pengu mua apo dikujt tjetër ajo që dikush bën me jetën e vet”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, në “Paradën e krenarisë”, e cila sivjet shënoi 5-vjetorin e organizimit, kanë qenë të ftuar edhe Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, por ata nuk morën pjesë në paradë.
Lend Mustafa nga organizata CEL Kosova, ka deklaruar për Gazetën Express se nuk e di arsyen pse krerët e shtetit nuk kanë marrë pjesë në “Paradën e Krenarisë”.
“Krejt janë kanë të ftuar, ne i kemi ftuar të gjitha institucionet, kemi pritur shumë që Kryeministri ka me dalë, kemi pritur që Presidentja ka me qenë prezente, meqenëse ka qenë në hapje të javës së krenarisë, por të gjithë e dinë që rëndësia më e madhe është me dalë në paradë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa tha se mungesa e krerëve të shtetit në paradën e sotme, është e rrezikshme për komunitetin LGBTi, pasi nuk dihet nëse Qeveria do ta përkrahë këtë komunitet, apo jo.
“Kjo tregon shumë për rëndësinë që i japin dhe rëndësinë që kanë me i dhënë më tutje se një përkrahje kaq e thjesht. Me neglizhua një moment të tillë për ne është e papranueshme. Mendojmë që duhet me u fshi ky gabim diqysh, mendojmë që duhet me u përmend kjo prej vetë institucioneve edhe me e jep një arsyetim pse nuk janë dalë. Ne nuk e dimë çka ka me ndodh me neve sa i përket qeverisë së re dhe është shumë e rrezikshme për ne, nuk kemi marrë asnjë arsyetim dhe nuk ka asnjë arsyetim pse nuk kanë ardhë. Është definitivisht e rrezikshme”, ka thënë ai.

Për mungesën e Osmanit në paradë, këshilltari për media i Presidentes, ka deklaruar se ajo është në takime.
“Në takime është”, tha ai, kur u pyet se a është duke marrë pjesë presidentja në këtë paradë.
Derisa krerët e institucioneve kosovare nuk dolën në “Paradën e Krenarisë”, komuniteti LGBTi u përkrah nga ambasadat e huaja në vend.

Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnnet dhe zyrtarë nga ambasada e Suedisë në Kosovë u panë duke marshuar bashkë me qytetarët tjerë.
E pranishme ishte edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Ardian Berisha si dhe zyrtarë të Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Teutë Rrusta e Zgjim Hyseni.

Baby Boo