Ballkani Perëndimor me plan për të zhdukurit


Vendet e Ballkanit Perëndimor prej sot bëhen pjesë e një plani të përbashkët veprimi për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur, temë kjo që ka dominuar mosmarrëveshjet midis këtyre vendeve që nga fillimi i luftërave në ish-Jugosllavi në fillim të viteve 90-ta.

Përmes aktiviteteve konkrete, plani do të ndihmonte në zgjidhjen e rasteve të 12 mijë njerëzve të cilët edhe sot konsiderohen të zhdukur. Drejtori i programit për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë thotë se çështja e personave të zhdukur është faktor kyç për normalizimin e raporteve ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe së në këtë kuadër, edhe në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Numri i madh i personave të zhdukur nga të dyja palët, në Kosovë është sigurisht pengesë e madhe në normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe pikërisht për shkak të kësaj pres që të fillojë zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur dhe të identifikohen sa më shumë persona që janë zhdukur gjatë luftimeve në Kosovë. Mendoj se kjo në njëfarë mënyre do ta relaksonte procesin e normalizimit të raporteve. Në këtë kuptim zgjidhja e problemit të të zhdukurve ka rëndësi të madhe”.

Nënshkrimi i këtij plani sipas Holliday është demonstrim i vullnetit politik të këtyre vendeve për t’i dhënë fund këtij problemi, edhe pse sipas tij, përparime të rëndësishme janë arritur për zgjidhjen e problemit të personave të zhdukur.

Ai thotë se nga 40 mijë persona sa janë regjistruar si të zhdukur në rajonin e Ballkanit Perëndimor deri më tash rreth dy të tretat e këtij numri janë identifikuar përderisa mbesin edhe rreth 12 mijë persona që konsiderohen të zhdukur.

“Pas të gjitha konflikteve në ish-Jugosllavi po flasim për konfliktet në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, rreth 40 mijë njerëz janë regjistruar si të zhdukur. Deri më tani dy te tretat e rasteve janë zgjidhur gjë që është sukses i cili tregon se procesi ka qenë shumë efikas. Megjithatë, rreth 12 mijë njerëz edhe më tutje janë të zhdukur në gjithë rajonin. Numri më i madh i tyre është në Bosnje Hercegovinë, midis 7 dhe 8 mijë, ende janë rreth 2 mijë të zhdukur gjatë luftës në Kroaci dhe një numër i ngjashëm në Kosovë gjatë konfliktit të viti 1998-99”.

“Pra edhe nëse janë arritur rezultate të jashtëzakonshme në rajon gjatë njëzet viteve të fundit, për familjet e këtyre 12 mijë personave që ende mungojnë, ende ka shumë punë për t’u bërë,”, u shpreh Holliday.

Pjesa më e ndjeshme e këtij procesi janë personat e identifikuar gabimisht. Ky plan që vendet e Ballkanit nënshkruajnë sot, sipas Methew Holliday parasheh zhvillimin e pilot projekteve të cilat në thelb do të trajtojnë çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuara.

“Vetëm të sqaroj, janë rreth 4 mijë raste në të gjithë rajonin si N.N ( të paidentifikuar). Për të qenë i qartë, Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur ka marrë një profil të ADN-së për secilin prej këtyre rasteve, por këto profile nuk përputhen me asnjë nga mostrat e referencës që kemi marrë nga familjet e personave të zhdukur, të cilët ende janë në kërkim të të afërmve të tyre”, tha ai.

“Ne besojmë se kjo situatë është trashëgimi e kohës kur personat u identifikuan pa përdorur testin e ADN-së. Ne nuk themi se kemi pasur numër të madh të identifikimeve të gabuara, por vetëm se ka raste të personave të identifikuar gabimisht”, theksoi Holiday.

“Është një efekt i caktuar domino me të cilin jemi duke i përballur sot, tek i cili ka ardhur nga rastet kur familjarët kanë identifikuar të afërmit e tyre dhe i kanë varrosur me gjërat të cilat ndoshta i kanë takuar një personi tjetër. Në atë rast, familja e atij personit tjetër nuk do ta mbyllë kurrë këtë kapitull të jetës së tyre”, nënvizoi ai.

Plani kornizë të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor e nënshkruajnë sot në Hagë vjen pasi në korrik të këtij viti kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të një samiti në Londër, nënshkruan deklaratën për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Baby Boo