Balancuesi, avokati i popullit evidenton keqpërdorime


Edhe zyra e Avokatit të Popullit vazhdon të pranojë ankesa për keqpërdorimin e të drejtës për të shprehur përkatësinë etnike me qëllim të punësimit. Avokati i Popullit Naser Ziberi, thotë që në vend, nuk ka mekanizëm ligjor që përcaktojnë përgjegjësinë ligjore për drejtuesit e institucioneve dhe komisionin që bën intervistimin dhe selektimin e të punësuarve, e të cilët tolerojnë manipulimin e atyre që deklarojnë rrejshëm përkatësinë etnike.

“Fatkeqësisht asnjë nga ligjet përkatëse nuk parasheh masë të këtillë që në rast se konstatohet devijim në procedurën e konkursit, në segmentin e manipulimit të përkatësisë etnike, të mbahet përgjegjësi”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet e sektorit publik në vitin 2007 ka qenë 10.8% kurse në raportin e fundit, është 20.1%. Kjo sipas Ziberit, tregon se balancuesi si mekanizëm që përcakton përkatësinë etnike të personit që duhet të punësohet në një institucion të caktuar ka dhënë rezultatet e duhura por duhet të gjenden mekanizma për shmangien e keqpërdorimit të tij.

“Ky përcaktim ligjor dhe kushtetues duhet të ekzistojë. Institucioni përkatës, në radhë të parë Ministria për Administratë Publike të gjejë mekanizma dhe instrumente për eliminimin e manipulimit të tij”, theksoi Naser Ziberi, Avokat i Popullit. Deri sa deklarata për përkatësinë etnike të personit që kërkon të punësohet është e vetmja dëshmi që kërkohet, Ziberi thotë se mundësia për manipulim do të vazhdojë të ekzistojë.

“Do të kufizohej në qoftë se ekziston dokument i organit zyrtar në të cilin bëhet dëshmia e identitetit të përkatësisë kombëtare sepse në atë rast deklarata nuk do të ishte e nevojshme. Në procedurën e konkursit do të kërkohej edhe dokumenti në të cilin shënohet identiteti kombëtar i çdo qytetari. Në këtë mënyrë eliminohet mundësia e manipulimit”, u shpreh Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Balancuesi si mekanizëm përcakton se çfarë përkatësie etnike duhet të ketë personi që duhet të punësohet në një institucion me qëllim që të arrihet përfaqësimi i drejtë nëpër institucione për të gjitha komunitetet. Dhjetëra raste të keqpërdorimit dhe manipulimit të balancuesit janë dokumentuar deri tani edhe nga Alsat. Persona të një përkatësie tjetër etnike, aplikojnë për punësim duke deklaruar rrejshëm se i takojnë një përkatësie tjetër etnike dhe punësohen.
VIDEO

Baby Boo