Bahtiri: Kam pritur që Thaçi ta padiste Dick Martyn


Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se është i befasuar me padinë që i ka bërë Presidenti Hashim Thaçi.

Bahtiri ka thënë se ka pritur nga Thaçi që këtë ta bënte dikur ndaj ish anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

“Jam i befasuar me veprimin e bërë presidenti Thaçi, pasi që unë kam prit se ai do t’i bënte kallëzim penal Dick Martyt, e jo mua. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam kërcënuar askënd personalisht, e aq më pak familjen e askujt”, ka shkruar Bahtiri në një postim në Facebook.

“Unë jam i gatshëm 24 orë në ditë që t’i jepi sqarime organeve të drejtësisë, pavarësisht se një herë veçse kam dhënë deklaratë. Megjithatë, kushdo që dëshiron informacione shtesë për këtë çështje mundet ta kontaktoj avokatin tim, Tomë Gashi”.

Më tej kreu i Komunës së Mitrovicës ka thënë se “Pavarësisht kësaj, unë po vazhdoj angazhimin e tim të pandërprerë për t’ju qendruar pranë qytetarëve të Mitrovicës në këtë kohë të vështirë që po kalon bota me pandeminë e koronavirusit COVID-19”.

“Gjithë angazhimi im do të jetë i fokusuar në lehtësimin e jetesës së qytetarëve, ndërsa atyre që merren me ndryshim të kontekstit të deklaratave të mia, ju them që është më mirë që këtë energji negative ta shndërroni në energji pozitive për Kosovën”.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka deponuar kallëzim penal ndaj Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, pak ditë pasi ky i fundit dha deklarata për vëllavrasje.

Baby Boo