Babai i dëshpëruar kërkon kthimin e të birit nga Siria


Murat Misini ka 11 muaj që nuk ka dëgjuar prej djalit të tij, Agonit, i cili ka tri vjet që kur kishte shkuar në Siri për t’iu bashkuar luftës atje. Edhe sot e kësaj dite, ky baba nuk i di arsyet që e shtynë djalin e tij të marrë atë rrugë.

“Gjithë kohës thoshte se dua të dalë jashtë (Kosovës) për të punuar se këtu nuk ka perspektivë, edhe ky është fakt sepse ne 30 anëtarë jemi në familje, kryesori unë jam. Djali e shihte se nuk ka asgjë këtu dhe më pyeti se a mundet ta nxjerrë pasaportën, sepse më tha i kam dy shokë, një në Ferizaj një në Maqedoni. E mori pasaportën dhe më tha dua të shkoj te shokët në Maqedoni. Pas një muaji e gjysmë u lajmërua, tha unë ka një muaj e gjysmë që kam ecur në këmbë për të ardhur në perëndim por po e shoh veten krejt në tjetër vend, kishte shkuar në Siri”, thotë ai.

Pasi kishte shkuar në Siri, Agoni kishte mbajtur kontakt me familjen për muaj të tërë dhe çdo herë u kishte thënë përmes telefonit se është i penduar dhe dëshiron të kthehet në Kosovë. Murati thotë se ka provuar ta nxjerrë djalin nga kjo situatë por nuk ka qenë e mundur.

“Para dy vjetëve unë isha për ta marrë, kam shkuar deri në kufi me Sirinë, në Turqi. Isha i obliguar t’i dorëzojë paratë për ta paguar një njeri që do ta sillte këndej kufirit djalin. Unë i dorëzova paratë dhe erdha në banesë, duke e pritur djalin ai më telefonoi, tha babi paratë i kam marrë dhe më pyeti se në cilin hotel isha duke më thënë se është nisur të vijë te unë. Unë i tregova hotelin dhe prita që do të vijë, por pas një ore vetëm kur e kam parë derën e banesës që ra në tokë edhe katër persona, policë që erdhën dhe më kapën”, thotë ai.

Murati thotë se ishin forcat turke të sigurisë e mbajtën në burg për 3 ditë dhe më pas e liruan për tu kthyer në Kosovë.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 195 veta nga Kosova një pjesë e mirë e të cilëve janë gra e fëmijë.

Sot, sipas familjarëve, Agoni ndodhet në burgun “Direk” të kontrolluar nga forcat kurde në mes të Sirisë dhe Irakut bashkë me 55 persona të tjerë nga Kosova. Para një viti Agoni u martua në Siri me një vajzë e cila po ashtu kishte shkuar atje nga Kosova, me të cilën ka edhe një fëmijë. Murati shprehet i shqetësuar për të birin por edhe për jetën e nuses së Agonit dhe djalit të tyre, të cilët ndodhen në një kamp në afërsi të burgut.

“Kryqi ndërkombëtar ka qenë para një muaji dhe ma kanë sjellë një letër dhe unë ia kam kthyer”.

Zëri i Amerikës: Letër që ta ka shkruar djali?

Murat Misini: Po, ku na thotë çka jeni duke bërë, pse nuk po mundoheni më shumë, këtu kushtet e vështira dhe keq puna shumë, pse nuk po punoni më fort për të më nxjerrë nga këtu? Unë gjumin nuk mund ta bëj asnjëherë rahat, jo vetëm unë por e tërë familja, jo vetëm familja e ngushtë por e tërë familja e gjerë. Ndonjë lëvizje më e vogla po të ndodhë menjëherë na shkon mendja çka ndodhi, kush erdhi, prej nga erdhi, është shumë keq ta humbësh një njeri. Kur e din njeriu që është vrarë këtu ose atje, e hap një javë të pame dhe e din çka ka ndodhë, por kjo gjithë kohës të mban peng”, thotë Murati.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se janë në pritje të kthimit të njerëzve që vazhdojnë të mbesin në zona të krizës.

“Është një pritje se mund të lëvizin dhe kjo lëvizje përfshihet nëpërmjet shteteve të rajonit dhe në vete përmban dy probleme nëse mund t’i cilësoj ashtu. Problemi social që ne jemi të detyruar që atyre njerëzve që janë në hall t’u dalim në ndihmë dhe brenda atyre lëvizjeve janë të infiltruar grupe të llojeve të ndryshme dhe ndaj atyre grupeve shtetet duhet të jenë të përgatitura që të reagojnë me qëllim parandalimin e aktiviteteve të cilat bartin rreziqet e tyre. Ne si Kosovë në këtë drejtim kemi ndërmarr masat tona duke u shprehur të gatshëm që të presim një numër prej tyre”, thotë zoti Gashi.
Sipas tij, Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pritur të kthyerit nga këto zona.

“Ne si Kosovë njerëzit që i kemi në ato zona jemi të gatshëm që t’i presim për riintegrim të tyre në shoqërinë tonë dhe në të njëjtën kohë masat dhe veprimet të cilat duhet të ndërmerren karshi një nëse mund të themi hetimi për punën dhe aktivitetin e tyre, mirëpo në mesin e tyre është edhe një numër i konsiderueshëm i grave dhe fëmijëve dhe ndaj tyre gjithashtu do të kemi një tretman të veçantë dhe janë bërë të gjitha planet e veprimit në rrafshin kompleks për arsye se një pjesë e tyre ka nevojë edhe në aspektin shëndetësor të trajtohet kurse pjesa tjetër edhe në aspektin psikologjik.

Ardhjen e tyre ne e presim të përgatitur në kuptimin e reagimit institucional, kemi edhe objektet ku ministria i ka në dispozicion, përkatësisht qeveria, për një trajtim të dinjitetshëm dhe pastaj në faza të tjera të rrafshit profesional të analizës për punën që kanë qenë atje, angazhimit që kanë pasur atje dhe masat e tjera në rrafshin e përgjithshëm. Është një numër i madh i agjencive që janë pjesë të grupeve përkatësisht të angazhimit institucional ndërsa ky angazhim drejtohet nga ministria e punëve të brendshme”, thotë ai.

Më shumë se 50 persona janë në burg me vendim të prerë të gjykatës, ndërsa mbi 200 janë të arrestuar ose janë në kërkim për përfshirje në konfliktet në Lindjen e Mesme apo nxitjen dhe rekrutimin e luftëtarëve të huaj. Kosova ka një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për veprat e tilla.
Autoritetet në Kosovë thonë se gjatë dy viteve të fundit nuk ka pasur raste të raportuara të përfshirjes së qytetarëve të saj në grupet terroriste. Raporti i fundit i policisë evropiane EUROPOL, thekson se Kosova ka raportuar rënie të propagandës dhe nuk ka pasur raste të mbështetjes financiare apo logjistike për grupet terroriste, por vendi është i shqetësuar lidhur me kthimin e luftëtarëve të huaj./VOA

 

Baby Boo