Avokati italian: “Dë*mshpërblimi për familjarët e tragjedisë në Tetovë është i turpshëm” (VIDEO)


Familjarëve të viktimave në tra*gjedinë në Spitalin Modular të Tetovës u janë ofruar 30 mijë euro dë*mshpërblim, me kusht që të mos flasin publikisht.

Ky kompensim është mizor dhe ofendues dhe jashtë çdo standardi. Kështu komenton avokati italian Gabriele Giambrone, i angazhuar nga Ibin Emshiu nga Siniçani i Tetovës, me shtetësi dhe banim në Itali. Përmes përfaqësuesve ligjor, Emshiu kërkon fillimisht drejtësi për humbjen e babait edhe vëllait, por edhe kompensim real sipas standardeve evropiane.

“Ajo që kërkojmë ne është shumë e thjeshtë. Kërkojmë para së gjithash që të arrihet drejtësia. Ne kemi nisur një procedurë për kompensim civil, personat që përfaqësojmë ishin rezidentë të Italisë që nga viti 2010, kështu që ne kemi të drejtë të kërkojmë kompensim sipas ligjit italian. Kemi dëgjuar se për disa vi*ktima janë ofruar kompensim prej 30 mijë eurove, me kusht konfidencialiteti. Nga perspektiva ime ky kompensim është mizor dhe nuk përputhet me asnjë standard evropian. 30 mijë euro është kompensim ofendues për dikë që ka humbur babain dhe vëllain në rrethana të tillë”, theksoi Gabriele Giambrone, avokat.

Ai shpjegon se sipas ligjeve italiane, për raste të tilla, ku persona civil humbin jetën në një institucion shtetëror, familjarëve u takon dëmshpërblim prej të paktën 350 mijë eurove.

“Do të nisim një procedurë në Itali. Do të padisim Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe do të lejojmë që një gjykatës italian të vendos nëse kemi të drejtë për kërkesat tona. Sa për të dhënë një ide për këtë çështje, me ligjet italiane kompensimi në raste të tilla është deri 350 mijë euro, ndoshta edhe më shumë”, theksoi avokati italian.

Zyra e avokatit Giambrone ka tentuar të kontaktojë ish kryeministrin Zoran Zaev, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë që nga tetori i vitit të kaluar, por janë injoruar.
Avokati ka dërguar kërkesë edhe për përfshirje në hetim dhe qasje në raportet e ekspertëve gjerman, por gjithmonë ka hasur në derë të mbyllur.

Ibin Emshiu humbi vëllain 28 vjeçar dhe babain gjatë zjarrit që kaploi qendrën për Covid19 në Spitalin e Tetovës mbrëmjen e 8 shtatorit. Përveç dy familjarëve të tij, edhe 12 persona të tjerë humbën jetën mes flakëve. Maqedonia e Veriut pranoi ndihmën gjermane për hetimin e këtij rasti. Raporti i ekspertëve gjermanë ka përfunduar dhe është dorëzuar në Prokurori, por deri tani prokuroria nuk ka lëvizur mbi gjetjet e raportit.

Baby Boo