Avokati i Popullit: “Distanca fizike, mësimi onllajn ndikojnë ndaj shëndetit mental të fëmijëve”


Respektimi i të drejtave të fëmijëve është një nga çështjet më të rëndësishme drejtë të cilave duhet të angazhohemi të gjithë, sepse për çdo shoqëri demokratike, përparimtare dhe të zhvilluar nuk ka punë më të rëndësishme se sa krijimi i brezave të shëndoshë, të arsimuar, me vlera dhe tolerantë të gatshëm që të përballen me të gjitha sfidat të cilat i sjell jeta dhe koha moderne, potencojnë nga Avokati i Popullit me rastin e 20 Nëntorit – Ditës Botërore të Fëmijëve.

“Më shumë se një vit, fëmijët, jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën, po përballen me një mënyrë jetese të ndryshme në të gjitha segmentet, përfshirë edhe procesin edukativo-arsimor. Distanca fizike, mësimi online ka ndikuar dhe ndikon tek fëmijët, veçanërisht në shëndetin mendor dhe socializimin e tyre, si një segment i rëndësishëm në zhvillimin e tyre psikologjik. Në këtë drejtim, të gjithë faktorët janë të detyruar që të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre dhe t’i ndihmojnë fëmijët që këtë periudhë ta kalojnë më lehtë/pa dhimbje, pa lënë pasoja të përhershme tek ata. 20 Nëntori shënohet si Dita Botërore e Fëmijëve dhe dita e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, dhe është një ditë kur të gjithë ne përmbledhim përpjekjet, iniciativat, veprimet e marra për të përcaktuar statusin e fëmijës në shkollë, në familje dhe në përgjithësi në shoqëri, veçanërisht nga aspekti i respektimit të fëmijëve si individë me pikëpamjet dhe mendimet e tyre për të gjitha çështjet e rëndësishme, veçanërisht për çështjet që i shqetësojnë ata”, theksojnë nga Avokati i Popullit.

Jemi të vetëdijshëm se për zhvillim harmonik të personalitetit të çdo fëmije, potencojnë nga atje, duhet të krijojmë kushte që ai të rritet në mjedis të shëndoshë familjar, në atmosferë të mirë të mbushur me gëzim, dashuri dhe mirëkuptim.

“Prandaj fëmijët duhet të trajtohen si të barabartë me ne të rriturit, si subjekte aktive dhe bartës të të drejtave dhe detyrimeve. Ne jemi të detyruar të dëgjojmë dhe respektojmë mendimin e tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që prekin interesin e tyre. Ne të gjithë kemi detyrimin të kontribuojmë në zhvillimin e duhur psiko-fizik të tyre, t’i edukojmë dhe arsimojmë në frymën e tolerancës dhe pranimit të dallimeve, t’i mësojmë se si të shmangin situatat e konfliktit dhe të zgjedhin dialogun si një mënyrë për zgjidhjen e problemeve, me çka do të kontribuojmë që fëmija të jetë i gatshëm të jetojë në frymën e paqes, dinjitetit, tolerancës, lirisë, të barabartë dhe solidar me të tjerët”, thonë nga Avokati i Popullit.

Baby Boo