Avionët kundër zjarrit, jashtë funksionimit


Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim e ka nisur vitin e ri 2022 me avionë zjarrfikës të pa -riparuar. Edhepse kontrata me kompaninë spanjolle “Titan Firefighting Company S.L.” është nënshkruar tetorin e kaluar, që atëherë e deri më tani asnjë avion kundër zjarrit nuk është riparuar. Njëri prej tyre aktualisht po servisohet në Spanjë. Drejtoria ka tre avion të këtillë, por asnjëri prej tyre nuk është aktualisht në funksion.

“Procesi i riparimit ka nisur, njëri prej avionëve është në Spanjë ndërsa për dy të tjerët ka plan dinamik. Aeroplani i parë është tashmë aty dhe sipas të gjitha vlerësimeve do të kthehet në fund të shkurtit dhe do të jetë funksional për shuarjen e zjarreve”, tha Drejtoria e mbrojtjes dhe shpëtimit.

Servisimi i avionëve do të bëhet në faza. Për një avion, riparimi do të zgjasë deri në 60 ditë, pas së cilës do të dërgohet tjetri. Nëse avioni i parë përfundon në shkurt, atëherë avioni i fundit duhet të jetë gati në qershor.

Marrëveshja me “Titan Firefighting” për riparimin e tre avionëve kushton 400 mijë euro. Përveç këtyre mjeteve, shteti ka paguar mbi 265 mijë euro për kompani të sigurimit sepse për t’u riparuar avionët, duhet të jenë të siguruara. Në rrjedhë është procedura për furnizim të kerozinës, në vlerë prej 40 mijë euro. Për t’u vënë avionët në përdorim, çmimi final do të arrijë deri në mbi 700 mijë euro. Edhe pse bëhet fjalë për shuma të larta, duhet të merret parasysh roli kyç i avionëve kundër zjarrit.

Vitin e kaluar gjatë zjarreve të mëdha, ato u lëshuan në tokë ndërsa shteti duhej të kërkojë ndihmë prej jashtë. Mos-efikasiteti i institucioneve shtetit i ka kushtuar 32,5 milionë euro, sa edhe vlerësohet dëmi nga zjarret. Nga “Pyjet nacionale” njoftuan se në mbarë vendin janë shkrumbuar 450 mijë kub/metër pemë dhe 10 mijë hektarë tokë dhe se ripërtëritja e pjesës së djegur shtetit do t’i kushtojë 2 miliardë denarë. /Alsat.mk

Baby Boo