Autoritetet presin që mbi 200.000 qytetarë të RMV-së ta përdorin aplikacionin “Stop Korona”, deri tani e kanë instaluar mbi 47.000

Aplikacionin për telefona celularë i cili ka për qëllim të zbulojë kontaktin e afërt me persona të infektuar potencialisht me KOVID-19 – “Stop Korona”, deri më tani e kanë instaluar 47.000 qytetarë, ndërkaq autoritetet presin që në periudhën në vazhdim numri i përdoruesve të rritet në 200.000.

Baby Boo

“Për momentin 47.000 qytetarë e kanë instaluar dhe e shfrytëzojnë aplikacionin Stop Korona. Presim, numri të arrijë në 200.000 qytetarë. Aplikacioni veçmas do të jetë me rëndësi për uljen e masave dhe atëherë presim që i njëjti të shfrytëzohet edhe më shumë”, thonë për Portalb.mk, nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA).

Ata thonë se aplikacioni është përditësuar, ndërkaq të njëjtit nuk do t’i shtohen dhe funksione tjera, pasi që qëllimi është që të jetë sa më i thjeshtë për t’u përdorur.

“Fokusi i aplikacionit është që të ndihmojmë në zvogëlimin e shpërndarjes së virusit korona. Ka pasur tanimë një përditësim pas vërejtjeve të qytetarëve, por nuk planifikohet që të ketë funksionalitete të reja, me qëllim që aplikacioni të jetë sa më i thjeshtë për shfrytëzim dhe i qasshëm për të gjithë qytetarët”, thonë nga MShIA.

Ministria i MShIA-së, Damjan Mançevski, në emisionin “Click Plus” theksoi se rekomandimi i mjekëve që pacientët e tyre ta përdorin këtë aplikacion do të jetë i frytshëm.

“Aksioni për instalimin e aplikacionit nëpërmjet mjekëve, mendoj se do të japë fryte. Përsëri do të theksoj, nuk kemi për qëllim që të vendosim masa restriktive dhe atë njerëzit ta ndjejnë si një lloj obligimi, edhe pse do të duhej të jetë obligim qytetar. Thjeshtë dëshirojmë që të ndjehen se duhet ta shkarkojnë për mbrojtjen e njerëzve”, tha Mançevski.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje deklaroi se në periudhën e vazhdueshme aplikacioni do të ketë rëndësi të madhe për dhënien e fotografisë së vërtetë bashkë me bërjen e vlerësimit të imunitetit të popullsisë.

“Do të vijë një periudhë kur do të duhet të bëhet edhe mesatare, vlerësim, që të shohim se si t’i dimensionojmë masat tjera që do të duhet t’i ndërmarrim apo do t’i rekomandojmë për në verë, në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës. Atëherë ky aplikacion, bashkë me nevojën për vlerësimin e imunitetit të popullatës dhe do të jetë me rëndësi të madhe pasi që do të tregojë për kontaktet që ndoshta ndonjë njeri nuk ka qenë i vetëdijshëm se i ka pasur në ndonjë moment”, deklaroi ministri Filipçe.

Ndryshe, Qeveria ka dërguar rekomandim për të instaluar aplikacionin mobil “Stop korona”, për të gjithë punonjësit në organet e administratës shtetërore, ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti, shoqëritë aksionare në pronësi të shtetit, agjencitë, fondet, zyrat, entet, drejtoritë dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore. Në të njëjtën kohë, i ka udhëzuar njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërmarrjet publike dhe personat e tjerë juridikë të themeluar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe punonjësit e sektorit privat, ta instalojnë këtë aplikacion.

Në të njëjtën kohë, Qeveria kërkoi nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të Republikës së Maqedonisë Veriore që të detyrojë të gjithë mjekët amë në vendin tonë që t’u rekomandojnë pacientëve të tyre ta instalojnë aplikacionin mobil “Stop korona!”

MShIA ka marrë për detyrë të propozojë stimulime plotësuese për ata që do ta instalojnë “Stop korona!”. Gjithashtu, qeveria e ka ngarkuar këtë ministri në seancën e ardhshme të Qeverisë që të paraqesë dekret me fuqi ligjore me të cilën të gjithë televizionet dhe radiot do të duhet të transmetojnë mesazhe informuese të përgatitura nga Ministria e shëndetësisë dhe Qeveria në lidhje me KOVID-19, në një kohëzgjatje prej 2- 3 minuta, çdo orë në programet radio – televizive.

Ky aplikacion, sipas autoriteteve, do t’ua lehtësoj punën epidemiologëve, sa i përket çështjes së anketave dhe gjetjes së të gjitha kontakteve dhe do ta shkurtojë kohëzgjatjen e epidemisë.

Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale, ka dhënë mendim pozitiv për përdorimin e këtij aplikacioni. Ai është punuar nga kompania “Neksus” dhe është në dispozicion për telefonat “IOS” dhe “Android”. Qytetarët që do të shkarkojnë atë, do të duhet të lëshojnë bluetooth-in në telefonat e tyre çdoherë kur janë jashtë shtëpisë, që të mund të regjistrohen kontaktet.

Aplikacioni mund të shkarkohet në këtë link: https://stop.koronavirus.gov.mk/?fbclid=IëAR3yYfPT8IFcOYtsR32IUpePiOQReVXu6HhJCDVë9KëLkyycbMre6i3OT4s/Portalb.