Australia do t’i ndalojë cigaret elektronike për ta mbrojtur shëndetin publik


Thithja e cigareve elektronike për qëllime rekreative do të ndalohet në Australi si pjesë e një grumbulli të masave për ta shtypur atë që ekspertët e quajnë endemi.

Autoritetet do t’i përcaktojnë standardet minimale të cilësisë, ndërsa shitja do të kufizohet në barnatore, raporton televizioni BBC.

Për të blerë cigare elektronike me nikotinë, në Australi tashmë kërkohet përshkrimi i mjekut, por industria është pak e rregulluar me ligj dhe tregu i zi po lulëzon.

Ministri i Shëndetësisë, Mark Butler, thotë se këto produkte janë duke krijuar një gjeneratë të re të të varurve nga nikotina në Australi.

Cigaret elektronike funksionojnë duke ngrohur një lëng, i cili zakonisht përmban nikotinë, duke e shndërruar atë në avull që e thithin përdoruesit. Këto shihen gjerësisht si produkte që u ndihmojnë duhanpirësve që ta lënë duhanin.

Megjithatë, në Australia, cigaret elektronike janë përhapur shumë si produkt për rekreacion, sidomos në mesin e të rinjve në qytete.

“Njësoj siç bënë me duhanin… kompanitë e mëdha të cigareve kanë marrë një produkt tjetër që krijon varësi, e kanë mbështjellë me një pako shkëlqyese dhe i kanë shtuar shije të ëmbla për të krijuar një gjeneratë të re të të varurve nga nikotina”– tha ministri australian të martën.

Cigaret elektronike konsiderohen më të sigurta se cigaret e rëndomta, sepse nuk përmbajnë duhan të dëmshëm. Britania e Madhe po ua ofron ato falasdisa përdoruesve të duhanit si pjesë e një programi për të hequr dorë nga duhanpirja.

Megjithatë, ekspertët kanë paralajmëruar se cigaret elektronike nuk janë pa rrezik – ato shpesh mund të përmbajnë substanca kimike – dhe ndikimi afatgjatë i tyre ende nuk është i qartë.

Baby Boo