Asnjë i mbijetuar nga rrëzimi i aeroplanit në Rusi


Mbetjet e avionit AN-26 që u zhduk këtë mëngjes në rajonin e Kamçatka të Rusisë u gjetën afër aeroportit ku duhej të ulej.
Autoritetet zbuluan mbetjet rreth pesë kilometra nga aeroporti në vendbanimin Palana, ndërsa nuk ka informacion fillestar për të mbijetuar.

Autoritetet thanë se avioni që transportonte 29 persona u rrëzua në një kodër.
Avioni fillimisht besohej se kishte rënë në det dhe anijet u dërguan në drejtim të vendit për një kërkim.
Dy helikopterë dhe një avion shpëtimi u vendosën gjithashtu në dispozicion, së bashku me një grup shpëtuesish në tokë.

Raportet e fundit thonë se avioni u nda në dy pjesë, ku një pjesë ra në det dhe pjesa tjetër në tokë.
Sipas Prokurorisë së Transportit të Lindjes së Largët të Rusisë, avioni i Ndërmarrjes së Aviacionit Kamchatka ishte rrugës për në Palana nga qyteti Petropavlovsk-Kamchatsky kur u zhduk.
Kompania tha se avioni ishte në gjendje të mirë para fluturimit.

Raportet paraprake treguan se avioni nuk iu përgjigj me kohë një seance të planifikuar komunikimi, ndërsa humbi lidhjen kur ishte 10 kilometra nga aeroporti në Palana.
Sipas Prokurorisë, në bord ishin gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe 23 pasagjerë, shumica prej tyre banorë të Palanas, përfshirë udhëheqesen e vendbanimit Olga Mokhireva dhe disa zyrtarë të tjerë lokalë.

Agjencia Federale Ruse e Transportit (Rosaviation) tha se avioni po fluturonte në kushte të vështira të motit, të cilat mund të kenë çuar në aksident. Një gabim i pilotimit po konsiderohet gjithashtu si një tjetër shkak i mundshëm.
Parashikuesit e motit konfirmuan se kishte mbulim resh në rrugën e avionit në një lartësi prej 300-600 metrash, megjithëse shikimi horizontal mbeti i mirë dhe era ishte e dobët.

Avioni AN-26 hyri në përdorim në vitin 1982 dhe ishte planifikuar të tërhiqej nga shërbimi më 30 gusht 2021.
Kryeministri i Rusisë Mikhail Mishustin ka urdhëruar formimin e një komisioni për të hetuar incidentin.
Komiteti i Hetimeve të Lindjes së Largët ka hapur gjithashtu një çështje penale për shkelje të mundshme të rregullave të sigurisë në transport.

Baby Boo