ASH: Ministria propozon shkurtim të pagave në arsim, shkakton kolaps, nuk ofron zgjidhje

Fillimisht me lejoni që të gjithë besimtarëve mysliman, t’ju uroj muajin e Ramazanit duke ju dëshiruar agjërim të lehtë dhe begati.

Baby Boo

Këtë pres e kemi caktuar që edhe njëherë si parti të sensibilizojmë opinion me gjendjen faktike të krijuar në sferën e arsimit në kohën e krizës me përhapjen e korona virusit.

Aleanca për Shqiptarët fillimisht përshëndet angazhimin e te gjithë mësuesve, arsimtarëve, profesorëve në arsim të mesëm si dhe profesorëve universitar për angazhimin e tyre për mbarëvajtjen e procesit mësimor në këto kushte të jashtëzakonshme me të cilat ballafaqohen ato. Ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për mundin e tyre që sadopak të lehtësojnë procesin e mësimdhënies që nxënësit dhe fëmijët tanë të mund të mbajnë kondicionin e tyre në këtë proces që është jetik për shoqërinë në tërësi. Jemi të vetëdijshëm se nuk është lehtë të punosh në këto kushte. Aq më tepër nëse kemi parasysh që gjithë këtë punë e bëjnë me vetiniciativë.

Ato, pothuajse nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga Ministria e Arsimit. Janë lënë në mëshirë të fatit që secili nga to të punojë me mjete vetanake. Mësimin e zhvillojnë pothuajse pa asnjë trajnim profesional. Trajnimi është bërë vetëm për një pjesë të vogël të profesorëve të informatikës. Mësimdhënësit kanë qenë të lënë në mëshirë të fatit edhe përpara krizës, por kjo kryesisht po vjen në shprehje në këtë kohë krize. Puna e tyre është duplifikuar. Secili nga to është lënë që vet të komunikojë me nxënësit dhe të zgjedh platforma të ndryshme pune në distancë.

Pra, mësimi online ashtu siç është zhvilluar deri më tani është bërë vetëm fal sakrificës dhe entuziazmit të mësimdhënësve dhe jo si pasojë e “përkrahjes” institucionale nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Ministria në web faqen e saj, nuk ka asnjë informatë për Covid 19 dhe komunitetin e arsimit, qoftë për arsimtarët, ashtu edhe për nxënësit dhe studentët . Atje nuk gjeni asnjë informatë për metodat e mësimdhënies që duhet të implementohet. Ajo thjesht i ka lënë mësuesit që të gjinden ashtu siç dinë dhe munden. Nuk gjeni Skedare me mjete (tools) qe ju jepen në disponim arsimtarëve për të punuar. Nuk ka asnjë udhëzues e mos të flasim për burime audio vizuale, qe tani mundohen të krijojnë diçka edhe atë vetëm për klasat e ulëta, që është shumë joprofesionale.

Pa fajin e mësimdhënësve, edhe tek nxënësit dhe prindërit është krijuar një konfuzitet. Përderisa universitetet lart poshtë kanë caktuar platformat e tyre për mësim në distancë, ministria e arsimit në vend që të angazhohet për mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij procesi, me vendimet, apo më mire thënë me mos vendimet dhe me paqartësinë e saj, e ka komplikuar këtë proces tej mase.

Ministria duhet të krijojë dosje arsimore. Duhet të krijojë udhëzues dhe mjete të prodhuara nga vet ministria, me qëllim që të krijohet një sistem të mirëfilltë, e jo ta lë atë të pakoordinuar siç është situata tani. Shkollat punojnë me platforma të ndryshme, pastaj kemi rast ku një klasë e një shkolle punon me një platformë, ndërsa klasa tjetër e po të njëjtës shkollë me platformë tjetër.

Situata është edhe më e komplikuar tek nxënësit. Mos të harrojmë se kemi një numër të madh të familjeve të cilat nuk kanë kushte dhe pajisje të nevojshme teknike për mbarëvajtjen e mësimit në distancë. E kujtojmë ministrin e arsimit se me 27 mars 2020 me kërkesë të ministrisë i ka pranuar listat e nxënësve të cilët për shkak të gjendjes sociale-ekonomike janë deklaruar se nuk janë në gjendje të ndjekin mësimin online, me qëllim që për ta, ministria të sigurojë mjete mësimore elektronike për komunikim.

Edhe pse kërkesa e ministrisë gjeti përgjigje brenda 24 orëve, fatkeqësisht nxënësit ende nuk janë pajisur me mjetet që u janë premtuar dhe një numër i madh prej tyre ende nuk kanë ndjekur as edhe një orë mësim online!

Kërkojmë sqarim dhe përgjigje ku ngeci kjo kërkesë. Apo ishte edhe një blof në kuadër të shumë premtimeve boshe.

Ne si Aleancë edhe në një reagimin të mëparshëm kemi deklaruar se nxënësit duhet të trajtohen njëjtë dhe urgjentisht duhet të sigurohen mjete elektronike për të gjithë, e nëse ministria nuk është në gjendje të realizojë atë që ka premtuar duhet të fillojë të mendojë për masa të reja!

Me këtë rast vetëm po e japim konstatimin nga raporti i OECD-së, ku për sa i takon mësimit online, Maqedonia e Veriut është vlerësuar ndër mesataren e rajonit me notën 1/4. Mesatarja e rajonit për qasje në mësim efektiv online është 1/3.

Kërkojmë nga Ministria që të del me plan dhe propozim të qartë se si e ka planifikuar përfundimin e vitit shkollor, kryesisht në lidhje me vlerësimin, që edhe fëmijët, edhe arsimtarët por, edhe prindërit të informohen në mënyrë të drejtë. Situata faktike, ka krijuar një katrahurë të vërtetë në të gjitha relacionet e mundshme në mes palëve të lartë përmendura.

Është dhënë datë se nxënësit duhet të notohen për tremujorin e parë, por nuk kanë ofruar asnjë metodologji se si duhet bërë notimi.

Kjo është edhe si pasojë e mosshfrytëzimit të burimeve, respektivisht mjeteve pedagogjike të testuara dhe të zgjedhura nga ministria. Ministria nuk ka konsultuar asnjë Fakultet Pedagogjik. Nuk ka kërkuar përgatitjen e materialeve pedagogjike me qëllim të lehtësimit të punës së arsimtarëve në këtë drejtim. Byroja për Zhvillim të Arsimit merret me një të ashtuquajtur platformë, që në fakt është gjysmë platformë ku nuk ka asnjë mundësi për ndërveprim dhe krijim të dosjes së nxënësit. Si rezultat nxënësit dhe arsimtarët ballafaqohen me stres të paparë. Ministria me kërkesë ad-hock ka obliguar notimin e nxënësve pa ju dhënë asnjë mjet pune dhe udhëzues se si të bëhet notimi i tyre.

Ministria e Arsimit ka obligim që për çdo lëndë të sigurojë udhëzues, mjete digjitale me vlerë dhe me potencial pedagogjik me qëllim që t’ju mundësoj arsimtarëve të bashkojnë tekstin, zërin, videon dhe burime tjera me qëllim krijimin e materialeve multimediale.

Propozojmë hapjen e një kanali ne YouTube për të informuar, prezantuar dhe komunikuar me sektorët e arsimit në nivel të shtetit.

Ministria përveç një platforme gjysmake nuk dha asnjë udhëzim për mjete digjitale dhe aplikacione për qëllime edukative ku ajo ka bërë parapagesë ose ka krijuar llogari. E dimë se sot disa aplikacione mirë të etabluara për mësim në distancë japin llogari pa pagesë për shkollat. Propozojmë që të shfrytëzohet kjo mundësi. Duhet vetëm një kërkesë me email deri tek kompania.

Sot derisa unë flas nuk kemi informata sa arsimtarë kanë kushte për mësim në distancë, sa prej tyre kanë kompjuter apo internet, sa prej tyre kanë kamera. Nuk dimë sa nxënës janë aktivë me mësimin në distancë, sa prej tyre kanë kompjuter, internet dhe kamerë. Kjo është për shkak se Ministria nuk ka bërë asnjë analizë në këtë drejtim.

Kemi shumë shembuj të shteteve që bëjnë këtë identifikim dhe pastaj marrin masa për ndihmë ndaj tyre si krijimi i fondeve për ndihmë.

Gjithë këtë situatë edhe më tepër e rëndon vendimi i qeverisë për shkurtesë të përkohshme të pagave të punëtorëve të arsimit. Me këtë vendim bëhet suspendimi i shtesave të rrogës në sektorin e arsimit.

Aleanca për Shqiptarët shpreh solidarizimin me të gjithë mësimdhënësit të cilët janë kundër shkurtesës së pagave të tyre. Ne këtë kohë kur ata janë të ngarkuar edhe fizikisht edhe psiqikisht, me këtë shkurtesë marrin edhe një goditje të fortë nga ana e shtetit. Mësimdhënësit duhet të jenë kategoria e fundit në shoqëri xhepi i të cilëve duhet prekur.

Në vijë të kësaj, Aleanca për Shqiptarët i jep përkrahje të pa rezervë kolegjiumit të arsimtarëve në Maqedoninë e Veriut, i cili kolegjium ka shprehur mospajtimin e vet me këto shkurtesa. Sa për informim të opinionit, këto shkurtesa ndoshta tingëllojnë të parëndësishme, por shuma totale del goxha e madhe që rëndon xhepin e arsimtareve dukshëm. Vetëm për ilustrim: Arsimtari me përvojë pune 30 vjeçare merr shtesë të rrogës për 15 për qind plus ora si kujdestar klase përafërsisht i zvogëlohet rroga për 100 euro. Mos të flasim për arsimtarët qe punojnë me paralele të kombinuara dhe me kushte të vështira, kësaj shume i shtohen dhe 70 euro, pra, bëhen 170 Euro. Llogaria na del 40 për qind ulje të rrogës.

Halil Snopçe-Shef i Akademisë Politike pranë Aleancës për Shqiptarët