ASH-ja thotë se për mospranimin e Kosovës në ENTSO, përgjegjëse është edhe BDI


Partia opozitare shqiptare në Maqedoni, Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ndaj votës “përmbajtur” të Qeverisë së Maqedonisë për pranimin e Kosovës në Shoqatën Evropiane të Rrjetit Energjetik (ENTSO), dhe si përgjegjëse të kësaj vote e sheh edhe partinë shqiptare në pushtet Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), pasi që vetëm aprovon vendime të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), transmeton Portalb.mk.

“Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje Qeverisë së Maqedonisë që ta tërheq votën përmbajtur, ndaj Kosovës në ENTSO, ndërsa BDI si pjesë e koalicionit qeverisës të mbajë përgjegjësi politike, dhe t’i kërkojë falje Qeverisë së Kosovës, që nuk ka takat politik, të ndikojë në vendimmarrje të tilla politike, sepse luan me statusin në Qeveri, duke aprovuar çdo vendim të LSDM-së, siç është rasti në fjalë”, thanë nga ASH-ja.

Sipas ASH-së, vota tregon se Maqedonia nuk e ka me gjithë mend njohjen e pavarësisë së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, dhe në rastin në fjalë, ajo ka plotësuar vetëm dëshirën e shtetit dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit.

Qeveria e Kosovës hesht, Vuçiqi shpalli fitoren e Serbisë ndaj Kosovës

Vota e “përmbajtur” e Maqedonisë, e ka pamundësuar Kosovën që të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme, për zhvillimin energjetik dhe ekonomik.

Qeveria e Kosovës deri tash nuk është deklaruar për mospranimin në këtë shoqatë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili ka falenderuar Maqedoninë dhe Malin e Zi për votën.

“Për herë të parë Maqedonia dhe Mali i Zi abstenuan dhe unë i falënderoj” tha Vuçiq duke vlerësuar këtë fitore të madhe të Serbisë.

Baby Boo