Asani nga Fronti opozitar: A është EUROVIA një filial i BDI-së?!


Rexhep Asani nga Lëvizja BESA, bashkë me përfaqësues nga Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, sot kanë mbajtur konferencë para Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ku kanë reaguar për tenderin e rradhës që ka fituar kompania donatore e BDI-së.

“Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë.

Jemi sot këtu, para Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, për të parashtruar disa pyetje:

A është EUROVIA një filial i BDI-së?
A është EUROVIA njëra nga kompanitë e preferuara të BDI-së?
A ka për qëllim Ahmeti të imitojë Putinin për të krijuar oligarkinë e tij?
A është EUROVIA në duart e BDI-LSDM-së?

Pa u shqetësuar fare për rrënimin e standardit të jetesës së shqiptarëve dhe për inflacionin që gjithnjë po rritet, BDI dhe LSDM po krijon oligarkinë e tyre. Paratë publike përdoren për të dhënë tendera kompanive të afërta me partinë.

Duket se EUROVIA po përfiton nga “reputacioni” si donatori i BDI-së dhe në këtë mënyrë po zgjeron aktivitetin e saj, duke fituar çdo tender të mundshëm. Nuk zbatohen rregulla të vlefshme për këtë kompani. Apo thënë troç ajo po bën çfarë t’i dojë qejfi. EUROVIA së fundmi ka fituar edhe një tender tjetër në vlerë prej më shumë se një milion euro, për ndërtimin e një pjese të sistemit të kanalizimit në Haraçinë. Ironia është se në konkurrencë edhe me dy kompani të tjera, ku njëra ofroi një çmim më të ulët, ishte pikërisht EUROVIA që fitoi tenderin dhe nënshkruajti kontratën.

Andaj, pyetja jonë është se sa nga ky projekt do të derdhet në llogarinë e BDI-së e sa në të LSDM-së? Edhe sa tenderë tjerë do të fitojë EUROVIA para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare? Kush po përpiqet të mbledhë sa më shumë para përpara se të bëhet pjesë e opozitës? Dhe në fund, kush do të jetë ai i cili do të kërkojë azil në një vend të huaj, sipas shembullit të idhullit të tyre politik, Nikolla Gruevski?

AlternAtivA
Lëvizja BESA
Lëvizja Demokratike

Rexhep Asani – Lëvizja BESA
Shkup, 25.09.2023”

Baby Boo