Asani: Kujtimin për Nënë Terezën po e shndërrojmë në aksiomë për brezat e ardhshëm


Deri në themelimin e Departamentit për Nënën Terezë në Institutin tonë kujdesi për figurën e Nënës Terezë jo që ka munguar, por ka qenë më shumë simbolik dhe evokues, në përmasa më tepër ceremoniale. Ndërkaq tash, me themelimin e këtij departamenti, personaliteti i Nënës Terezë ka edhe një përkujdesje shkencore, që në mënyrë studioze do ta ndriçojë figurën e saj, do t’i pasurojë informacionet për të dhe gjithnjë do ta begatojë personalitetin e madh të Nënës Terezë në mjedisin tonë, që sigurisht do të reflektojë edhe përtej kufijve tanë

Dr. Skender Asani
Jam shumë i nderuar që sot, në shënimin e ditëlindjes së nobelistes së vetme nga qyteti ynë, Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, më jepet rasti t’iu drejtohem përkitazi me këtë përvjetor, duke e organizuar edhe një ngjarje që sigurisht për ne është festive, ndërsa për gjeneratat e reja do të jetë me rëndësi historike.

Të nderuar të pranishëm, pas themelimit, vitin e kaluar, të Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, sot jemi këtu që ta përurojmë frytin e parë të këtij departamenti dhe të këtij angazhimi. Ndonëse është nobelistja e vetme nga ky mjedis i yni, ndërsa për neve shqiptarëve – edhe bashkëkombëse e jona, përkundër nderimeve që janë bërë për të, ajo deri tani ka pritur akoma për një nderim të këtillë, të përbashkët dhe simbolik, siç e meriton emri dhe personaliteti i saj.

Ajo më që më gëzon në veçanti është se këtë ngjarje sot po e shpalosim pikërisht në 110-vjetorin e lindjes së saj, ashtu që është kënaqësi e veçantë që ditëlindjen e saj po e kremtojmë në këtë mënyrë, në qytetin e saj të origjinës, duke e promovuar një libër për të dhe duke e shpalosur këtë pllakë përkujtimore, në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën e saj. Kujtoj se përvjetor dhe ditëlindje më të bukur se kjo nuk kemi kremtuar moti në qytetin tonë.

Të nderuar të pranishëm,
Ajo që dua të vë në spikamë sot, pa dashur ta zgjas më shumë, janë tri gjëra.
Gjëja e parë është se ne sot jemi pikërisht në vendin ku Gonxhe Bojaxhiu ka lindur dhe ku ajo është pagëzuar, duke e kujtuar pikërisht atë. Jemi në zemrën e Shkupit, pranë kishës “Zemra e Krishtit” dhe në përkujtim të zemrës së botës, Nënës Terezë.

Është bërë arsye kjo pllakë që ne të mblidhemi kështu tok dhe të dëshmojmë se të gjithë ne e respektojmë njësoj veprën e Nënës Terezë. Në të vërtetë, kjo pllakë ka qenë këtu edhe më parë, por shndërrimi i saj në pllakë që e respekton edhe gjuhën amtare të Gonxhes, por edhe ngritja e saj në pllakë që flet për respektin që gëzon ajo nga qytetarët e saj, për neve është festë e veçantë dhe unë jam jashtëzakonisht i kënaqur që kisha mundësi të jem ndër nismëtarët e ripërtëritjes së kësaj pllake.

Kjo pllakë dhe mensa që synojmë ta ngremë për të varfrit, sipas shembullit të kujdesit të saj, janë përkujtimi më modest, pa pompozitet e prepotencë, për humanisten më të madhe që e ka njohur historia. Natyrisht, duke respektuar modestinë e Nënës Terezë, për këtë dua t’i falënderoj edhe institucionet e tjera, si Shoqata “Shkupjania Nëna Terezë”, Shoqata humanitare Nënë Tereza nga Struga dhe Shtëpinë Përkujtimore të Nënës Terezë, që kanë qenë mbështetësit më seriozë dhe më dinjitozë të kësaj nisme.

Me këtë rast dua të faleminderoj edhe autoritetet e Qytetit të Shkupit, dhe sidomos z. Enver Maliqin, nënkryetarin e Qytetit të Shkupit, për ndihmesën pakursyer që këto aktivitete të kurorëzohen me sukses dhe të gjithë të tjerët që në mënyra të ndryshme ndihmuan që sot kjo pllakë të bëhet simbolika e mirëkuptimit tonë këtu dhe në botë.

Gjëja e dytë që dua ta përmend është përkujdesja institucionale për figurën e Nënës Terezë. Deri në themelimin e Departamentit për Nënën Terezë në Institutin tonë kujdesi për figurën e Nënës Terezë jo që ka munguar, por ka qenë më shumë simbolik dhe evokues, në përmasa më tepër ceremoniale. Ndërkaq tash, me themelimin e këtij departamenti, personaliteti i Nënës Terezë ka edhe një përkujdesje shkencore, që në mënyrë studioze do ta ndriçojë figurën e saj, do t’i pasurojë informacionet për të dhe gjithnjë do ta begatojë personalitetin e madh të Nënës Terezë në mjedisin tonë, që sigurisht do të reflektojë edhe përtej kufijve tanë.

Dhe, gjëja e fundit që dua ta përmend është libri që sot po e përurojmë. Duke bashkëpunuar me kolegët Albert Rama, i cili është pasardhësi i Don Zef Rama, pagëzuesi i Gonxhe Bojaxhiut, dhe Nora Maliqi Zylali, një studuese mjaft e përkushtuar e Institutit tonë, e cila në vokacionin e saj shkencor ka në themel dimensionin e iluminizmit femëror, ne sot po e sjellim edhe një libër me titull simbolik “Nga Gonxhe Bojaxhiu te Nëna Terezë”, ku përveçse përvijohet jeta e saj nga Shkupi i Gonxhes deri në Kalkutën e Shën Terezës, ai do të jetë edhe një sagë për familjet katolike të Shkupit. Unë jam i nderuar që si njëri ndër bashkautorët e këtij libri kam mundësi të shpreh kënaqësinë time që kjo ditë u bë kaq e veçantë edhe me këtë libër.

Para se të përfundoj dua t’ju njoftoj se ne së shpejti do i drejtohemi me një propozim dhe elaborat edhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që Nënën Terezë ta shpallë aset nacional, në mënyrë që ajo të jetë vetëm emblema dhe letërnjoftimi i vendit tonë, gjithnjë duke shpresuar se të zgjedhurit e popullit do ta mbështesin këtë propozim.

Për fund do të më lejoni të theksoj se jam jashtëzakonisht i kënaqur që sot shqiptarë e maqedonas, të krishterë e myslimanë, shkupjanë dhe qytetarë të tjerë, shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe të tjerë, ishim të gjithë këtu për ta promovuar këtë vepër dhe për ta kremtuar këtë ditëlindje. Më në fund Gonxhe Bojaxhiu u kthye në vendlindjen e saj në mënyrën më të mirë dhe me nderimet më të larta. E nëse me diçka do të mburremi ne nesër, sigurisht do të jetë kjo vepër sot.

Unë ju faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim në aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me emrin e Nënës së Madhe.
(Fjalim i mbajtur me rastin e zbulimit të pllakës përkujtimore të Nënë Terezës)

Baby Boo