Arrihet armëpushimi i parë mes Rusisë dhe Ukrainës


Bombardime të shumta i kanë mbajtur zgjuar gjatë gjithë natës ukrainasit në ditën e tetë të pushtimit rus. Mbi një milion njerëz janë larguar nga vendi. Qyteti i madh i Khersonit është marrë nga rusët. Ukraina pretendon se janë vrarë mbi 9000 ushtarë rusë. Çdo zhvillim i sotëm që lidhet me Ukrainën mund ta gjeni këtu

18:41 – Ukraina e Rusia pajtohen për armëpushim gjatë evakuimit të civilëve

Ukraina thotë se ka arritur ‘mirëkuptim të përbashkët’ me Rusinë për evakuimin e civilëve.

Pas bisedimeve të paqes midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas të enjten, të cilat zgjatën për rreth 4 orë, të dy palët kanë rënë dakord të ofrojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve.

Një zyrtar ukrainas ka thënë se marrëveshja përfshinte një armëpushim të mundshëm të përkohshëm gjatë evakuimeve, raporton Sky News.

Pala ukrainase ka thënë se nuk mori rezultatet që donte – pasi kishte hyrë në bisedime duke shpresuar për një armëpushim të plotë dhe tërheqje ruse – por kjo sipas saj mund të sinjalizojë një hap pozitiv.

Zyrtarët kanë rënë dakord të mbajnë një rund të tretë bisedimesh së shpejti.

18:35 – Vritet në Ukrainë gjeneral-majori rus, Andrei Sukhovetsky

Gjeneralmajori rus, Andrei Sukhovetsky, që ishte gjenerali komandues i Divizionit të 7-të Ajror Rus, u vra në fillim të kësaj jave në Ukrainë.

Vdekja e tij u konfirmua nga një organizatë lokale e oficerëve në rajonin Krasnodar në Rusinë jugore.

18:27 – SHBA-ja: Rusët të gatshëm për të goditur qëllimisht infrastrukturën civile

Forcat ruse kanë treguar një gatishmëri për të goditur qëllimisht infrastrukturën civile, ka thënë të enjten para gazetarëve një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

Zyrtari tha se SHBA-ja po shihte rusët të goditin infrastrukturën civile në Ukrainë, por ishte e paqartë nëse ishte e qëllimshme apo jo, raporton CNN.

“Një nga gjërat që ne me siguri i kemi parë të bëjnë në vende si Kievi dhe Kharkiv është goditja e infrastrukturës qeveritare me bombardime në rritje, siç e kemi parë gjatë dy ditëve të fundit, pasi ata janë afruar disi gjeografikisht me disa prej tyre. Në qendrat e populluara, bombardimet janë shtuar”, tha zyrtari. “Është e qartë se ata po përpiqen të dobësojnë strukturat qeverisëse që banojnë në këto qendra popullsie,” shtoi ai.

Zyrtarë të SHBA-së dhe të tjerë perëndimorë i kanë thënë CNN-it se strategjia e Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës po zhvendoset drejt një “asgjësimi të ngadaltë” të ushtrisë ukrainase, duke paralajmëruar se Rusia mund të fokusohet në një bombardim të përgjakshëm dhe vdekjeprurës të qyteteve dhe objektivave civile.

18:08 – Ushtria ukrainase beson se forcat bjelloruse kanë marrë urdhër të kalojnë kufirin

Shtabi Qendror i Ushtrisë së Ukrainës, ka bërë të ditur se bazuar në informatat që ka, forcat bjelloruse kanë marrë urdhër të kalojnë kufirin dhe të futën në Ukrainë.

Sipas njoftimit të postuar në Facebook, në një zonë të pyllëzuar, pak përtej kufirit me Ukrainën janë vendosur 38 brigada të ushtrisë së Bjellorusisë, aleates së Rusisë në luftën që ka nisur më 24 shkurt.

Baby Boo