Arrestohet edhe një person për sulm ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi


Është arrestuar edhe një person dje në Prizren për sulm ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi.

Ai tha se në total numri i të arrestuarve për sulm ndaj gazetarit Krasniqi është dy.

Personit që u arrestua dje i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Në lidhje me rastin, me 15.08.2023 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe të njëjtit pas intervistimit me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje. Njëri është arrestuar më herët, ndërsa personi që u arrestua dje është ndaluar për 48 orë”, ka thënë ai për Express.

Ndërkaq të dyshuarit tjetër A.K., i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj, ka konfirmuar për Gazetën Express se të pandehurit do t’i llogaritet masa e paraburgimit prej kohës së arrestimit 11.08.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 11.09.2023, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“I pandehuri A.K., me datë 11 gusht 2023, rreth orës 14:00., në Prizren, me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrat e tij zyrtare – të dëmtuarin V.K., (gazetar), në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari V.K., (gazetar), gjatë kryerjes së detyrës së tij merr në intervistë të pandehurin, ky i fundit A.K., e shtyen me dorë duke e sulmuar, pastaj, i dëmtuari V.K., vazhdon ti intervistojë protestuesit të tjerë të pranishëm ku has në rezistencë, të të pranishmëve, dhe persona të tjerë e sulmojnë fizikisht gazetarin me të cilat veprime tek i njëjti shkaktojnë shqetësim”, tha Lekaj në një përgjigje për Express.

Të premtën kur po mbahej një protestë si shenjë pakënaqësie ndaj një performance në “DokuFest” është sulmuar gazetari i Gazetës Nacionale Vullnet Krasniqi dhe kameramani.

Për këtë ngjarje policia ka njoftuar edhe për suspendimin e një zyrtari policor në Prizren, me gradën rreshter, për siç ka thënë policia sepse nuk ka reaguar në mënyrë profesionale me rastin e sulmit ndaj gazetarit.

Rreshteri është suspenduar për 72 orë.

“Pas vlerësimit dhe analizimit të të gjitha raporteve si dhe videoregjistrimeve gjatë protestës, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, pas konsultimit dhe me sugjerimin nga IPK, me qëllimi të hetimit të pavarur të këtij rasti, me vendim ka suspenduar për 72 orë një Rreshter Policor nga Stacioni Policor Prizren”, ka njoftuar PK.

Baby Boo