Arrestohet edhe një i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq


Është arrestuar edhe një serb me inicialet U.V. në Leposaviq i dyshuar për përfshirje në një rast sulmi ndaj gazetarëve me datë 16 qershor.

Sipas një komunikate për media nga Policia, i dyshuari është arrestuar të hënën në orët e para të mëngjesit.

Njoftohet se arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023.

“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Angazhimi dhe përkushtimi i Policisë së Kosovës, do të vazhdojë për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Disa gazetarë janë lënduar të premten në Leposaviq derisa po raportonin nga protesta që po mbahej atje. Së paku tre të dyshuar janë arrestuar për sulm ndaj gazetarëve në komunat veriore.

Baby Boo