Arifi: Partitë shqiptare të angazhohen për zhvillim ekonomik


Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në një intervistë për “Balkan Talk” në Euronews, tha se formimi i shumë partive shqiptare e ka dëmtuar faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Zv/kryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, tha se mesazhi kryesor në zgjedhjet e ardhshme për ta do të jetë fuqizimi ekonomik i shqiptarëve.

“Prezenca e shumë partive shqiptare nuk paraqet një formë të mirë të përfaqësimit të shqiptarëve. Këtë e them për numrin real që kanë shqiptarët në vend dhe formimi i shumë partive krijon një shpërndarje të votës dhe një dobësim të artikulimit të kërkesave”, tha znj. Arifi, duke iu referuar faktit se në RMV ka 6 parti shqiptare.

Duke folur për diskutimet mbi caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kryetarja e Komunës së Tetovës u shpreh se, BDI kërkon që ato të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, por pa rrezikuar përhapjen e koronavirusit.

“BDI nuk ka favorizuar datë për zgjedhjet parlamentare, por ka kërkuar që të bëhet një vlerësim për situatën e pandemisë nga ana e Komisionit të Sëmundjeve Virale. Mbështesim idenë që zgjedhjet të mbahen shpejt, por nuk duam që të shkaktohet ndonjë problem nga COVID-19”, tha Arifi.

Arifi foli dhe për politika diskriminuese për investimet në territore shqiptare, duke thënë se pavarësisht se taksat paguhen njëlloj nga të gjithë qytetarët, nga ndarja e buxhetit paratë shkojnë më shumë në qytete me shumicë maqedonase.

“Për fat të keq për shumë vite buxheti shtetëror nuk ka një instrument që do të siguronte ndarjen rajonale të barabartë. Është vetëm një pjesë që drejtohet nga ministria e pushtetit lokal. Edhe pse ka përmirësime gjatë 3 viteve të fundit, megjithatë pasoja e mos shpërndarje së barabartë të buxhetit është problematike dhe çështja duhet të shtojë angazhimin e partive shqiptare në krijimin e politikave përveç temave të mëdha etnike, të shtrohen problemet e zhvillimit ekonomik dhe rajonal”, deklaroi znj. Arifi.

E pyetur nga Euronews lidhur me faktin se, shqiptarët vijojnë të jenë viktima të proceseve të montuara, ajo tha se, “çështja e gjyqësorin është një prej sfidave më të mëdha” dhe se ndikimi shqiptar në këtë aspekt ka qenë shumë i vogël ndaj është kërkuar gjithmonë hetim ndërkombëtar për raste të bujshme.

Baby Boo