Arben Vitia jep dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë


Arben Vitia ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ministrit të Shëndetësisë, shkruan Reporteri.net.
Në një konferencë për media, Vitia ka thënë se për të ishte privilegji i tij më i madh në jetë që të shërbejë në postin e Ministrit të Shëndetësisë.

“Detyra e Ministrit të Shëndetësisë është një detyrë me privilegj dhe përgjegjësi të lartë. Unë pata privilegjin t’i shërbej me gjithë fuqinë popullit në një kohë të vështirë. Kjo përvojë e përbashkët na ka transformuar të gjithëve pa dyshim, por në aspektin njerëzor kjo ka qenë pasuria më e madhe që e kam përfituar”, tha ai.

Ai bëri të ditur se pasuese e tij në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë do të jetë zëvendësministrja, Dafina Gexha-Bunjaku.
Vitia ndër të tjera ka folur edhe për situatën me pandeminë në Kosovë, duke thënë se ditëve të fundit, Kosova është vendi me numrin më të ulët të të infektuarve në rajon.

“Vala e katërt e pandemisë e dominuar nga varianti delta edhe sipas parametrave të OBSh për momentin është vënë nën kontroll. Ky është një lajm i mirë për të gjithë ne, por akoma nuk mund të flasim për relaksim. Kosova ditëve të fundit është bërë me numrin më të ulët të të infektuarve në rajon. Sot jemi ndër pesë shtete me rastin më të ulët të infektimeve”, ka thënë ai.

Baby Boo