Arabia Saudite shokon botën, mposht Argjentinën e Messit


Përfaqësuesja e Arabisë Saudite ka shkaktuar befasinë më të madhe deri më tani në Kupën e Botës “Katari 2022”. Arabia Saudite e ka mposhtur Argjentinën, një nga favoritët për të triumfuar në Botëror, në ndeshjen e parë të Grupit C.

Dueli i luajtur të martën, ka përfunduar me rezultatin 2:1. Me këtë fitore, Arabia Saudite i ka dhënë fund edhe serisë së Argjentinës prej 36 ndeshjeve pa humbje. Në fakt, Arabia Saudite ka fituar me përmbysje të rezultatit, pasi ishte në disavantazh pas pjesës së parë. Ylli Lionel Messi e zhbllokoi rezultatin, duke e kaluar Argjentinën në epërsi në minutën e dhjetë. Messi shënoi nga penalltia.

Argjentinës iu anulua edhe një gol në minutën e 28-të pasi Lautaro Martinez ishte në pozitë jashtëloje. Megjithatë, Arabia Saudite u rikthye fuqishëm në pjesën e dytë për të shënuar dy gola të shpejtë dhe për ta fituar ndeshjen e parë të Grupit.

Fillimisht, në minutën e 49-të, barazoi me anë të Saleh Al-Shehri, ndërsa pesë minuta më vonë shënoi golin e epërsisë, që doli të ishte i fitores. Realizator ishte Salem Al-Dawsari që shënoi një gol të bukur.

Baby Boo