APELI I POLICISË: MOS SHPËRNDANI FOTOGRAFI NGA DASMAT DHE PUSHIMET PËR SHKAK TË HAJNAVE


Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka apeluar të gjithë qytetarët e Kosovës që në rast të largimit nga shtëpia për ahengje apo për pushime të mos publikojnë fotografi të cilat tregojnë se ata nuk gjendën në shtëpi, percjell Fakte.

Sipas policisë fotografitë e tilla në rrjetet sociale dëshmojnë vendndodhjen e tyre dhe vjedhjet në ato shtëpi janë më të lehta.

“Policia e Kosovës në Gjilan në vazhdimësi e përsërit Apelin për  të gjithë qytetarët që me rastin e largimit të tyre nga shtëpitë qoftë kur shkojnë në pushime jashtë vendit apo dasma dhe ahengje të ndryshme familjare, të sigurojnë pronën dhe pasurinë e tyre , por edhe t’ mos bëjnë postime në rrjetet sociale për vendndodhjen e tyre, sepse nga praktikat e deri tanishme është vërejtur se kryerësit e veprave penale të vjedhjeve duke besuar se në shtëpi nuk ndodhet as kush, dhe këto shtëpi dhe pasuri letë mundë të jenë cak i vjedhjeve, gjithnjë kanë vepruar duke u informuar apo bazuar në këto foto apo postime të cilët familjarët i kanë bërë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka treguar se një grua kishte raportuar në polici kinse ishte sulmuar fizikisht nga disa persona, por më pas policia kishte zbuluar se gruaja kishte kryer disa vjedhje.

“Më 08 korrik.2018 në cilësinë e të dëmtuarës, tani e dyshuara Shqiptare shtetase e Kosovës, M. Shabani (1992), ka raportuar në policinë e Kosovës në Gjilan rastin ,,Lëndim i rëndë trupore’’ duke akuzuar dy persona se gjoja e kanë sulmuar fizikisht duke e goditur me mjete të forta si thikë dhe shufër metali”.

“Me 19 korrik 2018 , policia e Kosovës njësitet e hetimeve nga stacioni policor i Gjilanit, përmes rrugëve operative kanë ardhë deri te informatat e qëndrueshme se ankuesja mundë të ketë deklaruar rrejshëm, me vendim të prokurorit të shtetit është realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarës M. Shabani ku janë gjet dhe konfiskuar gjësende të ndryshme si: një TV-Plazma ,,Samsung’’, një resever me te gjitha pajisjet përcjellëse, pesë jastëk te ndryshëm ortopedik, rroba, jelek te nusërisë, bizhuteri të ndryshme duke përfshirë: zingjir qafe, unaza, byzylyk për duar etj, këpucë për femra, peshkira te ndryshëm, mbulesa për shtretër, disa gjësende tjera si katër kofera, çanta krahu për femra, etj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit të gjitha këto dëshmi janë identifikuar nga viktima e rastit dhe mbeten ti kthehen pronarit legjitim.

E dyshuara M. Shabani akuzohet për së paku dy rastet “Vjedhje e rëndë’’  dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” dhe bashkëshorti i saj F. Shabani (1983), po ashtu akuzohet për rastin ,,Vjedhje e rëndë’’  në bashkëveprim me gruan e vet, që të dy janë intervistuar në cilësi të dyshimtëve, konform kodit dhe procedurave ligjore.

Me vendim të lëshuar nga prokurori i shtetit që të dy ndalohen për 48 ore. Rasti procedohet në PTH.