Antiterrori i zbuloi 16 llogari në “Facebook”, 45-vjeçari bënte thirrje pro ISIS dhe nxitje për terrorizëm


Ditën e sotme GJKKO me kërkesë të Antiterrorit dhe të SPAK ka lëshuar një urdhër-arresti që ka çuar në ndalimin e 45-vjeçarit Gentian Çollaku për “Nxitja, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Sipas News24 bëhet e ditur se më 21 janar 2021, antiterrori konstatoi se në profilin e tij në “Facebook” ishin shpërndarë foto të krerëve të Isis. Fillimisht janë nisur hetime nga prokuroria e Kavajës, më pas është transferuar në SPAK.

45-vjeçari i divorcuar nga Kavaja, pas hetimeve rezultoi me 16 llogari në Facebook ku bënte thirrje publike për luftë dhe propagandë për vepra terroriste.

“Po ashtu ai mbështeste dhe imamët e akuzuar për terrorizëm. Ai kishte shpërndarë në facebook të dhëna për imamët e dënuar për terrorizëm dhe materiale propagandistike të ISIS, pjesë e një grupi që u shkatërrua nga ish-prokuroria e Krimeve të Rënda.

Po ashtu ka konstatuar se mbante lidhje me elementë radikalë nga Kosova, mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

“Fillimisht nuk ka qenë bashkëpunues me prokurorët e SPAK. Më pas ka thënë se ka marrë leksione nga persona të radikalizuar në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Rezulton se Çollaku përdorte numra në emër të personave të tjerë dhe i përdorte për thirrje radikale. Prokuroria pretendon se nga veprimet hetimore Çollaku kryente veprime ekstremiste duke nxitur urrejtje fetare dhe aktivitet terrorist. Ai konsiderohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore pasi dyshohet se përhapte propagandë fetare për shtetin islamik”, raportoi gazetarja Klodiana Lala.

Ndërkohë janë duke u monitoruar dhe persona të tjerë që kanë lidhje me Çollakun.

Baby Boo