Angjushev “shijon” të mirat e pushtetit


Edhe funksionarë të pushtetit edhe të shpërblyer nga pushteti si inovatorë. Informacionet se mjete nga Fondi për inovacion ka marrë një ndërmarrje në të cilën është bashkëpronar zëvendëskryeministri Koço Angjushev por edhe kompania në të cilën pjesëmarrje ka edhe deputeti Hari Lokvenec nga LSDM-ja, shkaktuan reagime të ashpra në opinion. Kompania, pjesë e të cilës është Angjushev ka marrë 160 mijë euro nga shteti ndërsa një shumë të përafërt ka marrë edhe ajo ku bën pjesë Llokvenec. VMRO-DPMNE-ja kërkon që Angjushevi dhe drejtori i Fondit për inovacione, Jovan Despotovski menjëherë të japin dorëheqje, por edhe të përgjigjen penalisht.

I bëjmë thirrje publike Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë, të mos flejë. Më në fund të zgjohet dhe të fillojë të ndjekë krimin. Organet e ndjekjes menjëherë të nisin procedurë kundër Angjushevit dhe Despotovskit. Hetim duhet doemos të ketë për sjelljen e këtillë ndaj parave të popullit që shpenzohen dhe grabiten në çdo mënyrë – deklaroi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Angjushevi në një deklaratë për BIRN, shprehet se ai posedon vetëm 16 për qind të shkritores dhe si pronar pakicë nuk mund t’u urdhërojë partnerëve se çfarë të bëjnë.

E dija se do të aplikojnë, nuk mund të them se nuk e kam ditur, mirëpo nuk i jam lajmëruar askujt që ta fitojnë grantin… Ashtu siç nuk duhet të jenë të privilegjuara ndërmarrjet ku unë kam kapital, nuk duhet as të jenë të diskriminuara – u shpreh Koço Angjushev, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike .

Edhe deputeti Hari Lokvenec mohon çfarëdo ndikimi ndaj Fondit për inovacione dhe shprehet se e ka ndërgjegjen e pastër. Ai është aksionar në shtypshkronjën “Ginis”, por shprehet se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në menaxhim. Skandalet e këtilla, sipas ish-kryetarit të Antikorrupsionit, Voisllav Zafirovski tregojnë se nuk ka vullnet të sinqertë politik për luftimin e korrupsionit.

Prandaj duhet doemos të ndryshojë edhe Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave në drejtim të ndjekjes permanente të listave anketuese të funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar, ata të përmenden me të dhënat nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, nga Kadastri dhe institucionet e tjera që mbajnë të dhëna për gjendjen pronësore të individëve, që të fitohet një pasqyrë e mirëfilltë për rritjen e pronës dhe pasurisë së bartësve të funksioneve publike me mundësi eksplicite që të kërkohet ata të dëshmojnë se në çfarë mënyre, për një periudhë të shkurtër kanë realizuar kapital aq të madh – tha Voisllav Zafirovski, ish-kryetar i Antikorrupsionit.

Në këtë moment edhe Komisioni shtetëror antikorrupsion është me vetëm dy anëtarë. Pesë të tjerët dhanë dorëheqje pas shpërthimit të skandalit ku u akuzuan se edhe ata kanë falsifikuar fatura për shpenzime rrugore dhe kanë dhënë me qira banesa me çmime joreale. Për këtë rast, prokuroria ka nisur hetim.

Baby Boo