Ambasadori francez i kërkon falje Serbisë pse Vuçiqi nuk ishte në rreshtat e parë


Ambasadori i Francës në Beograd, Frederic Mondoloni, siç raportojnë mediat e Beogradit, i ka kërkuar falje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe popullit të Serbisë për shkak të protokollit dhe caktimit të vendit për uljen e tij në shënimin e Ditës së Fitores në Paris.

“Me Serbinë jemi shumë të afërt. Serbia në Luftën e Parë Botërore ka humbur gati një të tretën e popullsisë, 62 për qind të popullatës meshkuj dhe Franca këtë nuk e harron”, citohet të ketë thënë Mondoloni gjatë një paraqitjeje të tij në TV Prva.

“Jam ca i pikëlluar, sepse sot duhej të festonim fitoren tonë të përbashkët, në prag të vizitës së paralajmëruar të presidentit francez në Serbi. Ndërsa kjo për ne sikur e ka prishur gjithë këtë”, ka thënë Mondoloni.

Sipas tij bëhet fjalë për ngatërrim dhe kjo është “për keqardhje”.

Beogradi ka reaguar për shkak të vendit që i është caktuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që ishte më afër liderëve botëror, ndryshe nga ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Theksohet se renditjes nëpër vende të zyrtarëve, shefave të shteteve e të qeverive ishte sipas alfabetit, që ka shkaktuar pakënaqësinë e Serbisë, transmeton Koha.net.

I pyetur se cili ka pasur vendin më të mirë, Thaçi apo Vuçiqi, ambasadori Mondoloni është përgjigjur “Gjërat nuk matën ashtu”.

Macron do të vizitojë Serbinë në fillim të dhjetorit.

Pas kërkimfaljes nga ambasadori francez, presidenti i Serbisë Vuçiq iu falënderua dhe u shpreh se presidentin francez Macron Serbia do ta presë me dashuri e respekt.

Baby Boo