Alternativa dhe Lëvizja Besa, një hap më afër bashkëpunimit


Alternativa do të shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Besa. Nga partia e Afrim Gashit thonë për Alsat se të mërkurën do të diskutohet për konkretizimin e bashkëpunimit. Sipas tyre si fillim do të bashkëpunohet në Kuvend, ndërsa më pas edhe jashtë ligjvënësit.

“Do të mblidhet Kryesia Qendrore e Alternativës dhe do të diskutojë për hapat e ardhshëm të bashkëpunimit me Lëvizjen Besa. Kontaktet e para japin shpresë se bashkëpunimi i parë do të jetë në kuadër të Parlamentit”, njoftojnë nga Alternativa.

Nga Lëvizja Besa pranojnë se ka komunikim mes subjekteve dhe se janë afruar qëndrimet për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Jemi të interesuar për unifikimin e qëndrimit politik opozitar të partive politike shqiptare dhe se jemi të gatshëm me çdo subjekt politik, shoqatë jo qeveritare dhe çdokush që është i interesuar që institucionet shtetërore mos t’i menaxhojë kjo garniturë e korruptuar në të ardhmen dhe se të bëhet një front i përbashkët që do ta ndjek diskursin Euro-Atlantik”, thonë nga Lëvizja Besa.

Alternativa doli si subjekt pas kontestit gjyqësor me Lëvizjen Besa në mars të vitit 2019. Pas vendimit të gjykatës, Kasami mbeti kryetar i Lëvizjes Besa, ndërsa Afrim Gashi ribrendoi strukturat e tij me emër të ri subjekti të quajtur Alternativa. Kjo e fundit aktualisht në Kuvend përfaqësohet me tre deputeti, ndërsa Besa me dy. Nuk përjashtohet mundësia e organizimit tyre në një grup të përbashkët parlamentar. /Alsat.mk

Baby Boo