Ali Ahmeti nga Studeniçani: “Rrethoni 3-shin për Ejup Abazin”


Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar sot fushatën parazgjedhore me tubimin në komunën e Studeniçanit, ku prezentoi Ejup Abazin si kandidat për kryetar komune dhe listën e kandidatëve për këshilltarë të kryesuar nga Ibrahim Ramadani.

Qytetarëve të pranishëm iu drejtua kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kandidati për kryetar komune Ejup Abazi.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në fjalimin e tij elaboroi arsyet se pse duhet votuar Bashkimi Demokratik për Integrim duke theksuar se janë 19 vite punë nga kuadro profesionale dhe të dëshmuar me dijen e tyre duke potencuar edhe përkrahjen maksimale për Ejup Abazin dhe kandidatët për këshilltarë komunal në Komunën e Studeniçanit.

“BDI për 20 vite ka krijuar kuadro, ka krijuar njerëz profesionistë të fushave të ndryshme. Pse duhet votuar BDI dhe jo të tjerët? Duhet votuar sepse është i dëshmuar në të gjitha fushat e veprimtarisë. 2002 – 2021 janë 19 vite punë profesionistësh, është punë e njerëzve të cilët janë dëshmuar edhe përpara eksperiencave ndërkombëtare, të pranueshëm dhe të vlerësueshëm në të gjitha përballjet e seminaret që janë organizuar. Këtu, në Evropë dhe Amerikë jemi dëshmuar që dimë të drejtojmë, që dimë të punojmë e projektojmë. Prandaj, unë si njëri nga qytetarët e këtij vendi, si njëri nga pjesëtarët e këtij populli po ju drejtohem me përgjegjësinë më të lartë sepse vota është e shenjtë, drejtimi i komunës, i vendit dhe i shtetit është përgjegjësi moral e kombëtare sepse nuk kemi kohë për të humbur, koha është e çmueshme. Jo rastësisht ne po paraqesim agjendën e blertë sepse është kërkesë e kohës dhe hap i kohës. Në këtë vend duhet të gjithë të punojmë, të lëmë anash paragjykimet. Ky vend është në prag të anëtarësimit në BE edhe një hapërim duhet ta bëjmë”, deklaroi mes tjerash kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

Baby Boo