Aleksovski për “Monstrën”: Kisha informatë gojore nga Zoran Trajkovski për lëvizje të grupeve ekstremiste, por nuk m’u konfirmua


Ish-këshilltari për siguri nacionale, Sinisha Aleksovski, në seancën e sotme për rastin “Monstra”, tha se ka pasur informatë me gojë nga nëpunësi policor Zoran Trajkovski se ka lëvizje të grupeve ekstremiste të cilat, ato ditë festive mund të sulmojnë stacione policore, por se nuk i ishte konfirmuar.

Aleksovski, gjatë dëshmisë, tha se me të akuzuarit nuk është njohur personalisht, por se nga evidenca policore di për aktivitetet e Fejzi Azirit, Alil Demirit dhe Afrim Ismailloviqit. Hetimin për rastin, sqaroi ai, e udhëhiqnin së bashku edhe BSP dhe DSK, por secili ka pasur përgjegjësinë e vet. BSP lidhur me forenzikën dhe pjesën administrative, përderisa DSK për pjesën operative.

Aleksovski tha se sigurimi personal i Maja Ivanovës (ish-zonja e parë e Republikës) nëpunësi policor, Oliver Naqevski, përndryshe kushëri i parë i Goran Naqevskit, baba i të vrarit Aleksandar Naqevski, ishte ndërmjetësi për takimin me presidentin Gjorge Ivanov ku mori pjesë edhe ai edhe familjet e të vrarëve afër Liqenit të Smillkovës.

“Takimi parë u mbajt me kërkesë të familjeve të të vrarëve në Kabientin e presidentit dhe i dyti ishte jozyrtar në shtëpinë e Oliver Naqevskit. Në këtë takim Goran Naqevski, na informoi për takimin me kryetarin e LSDM-së, ku ai shprehi dyshime serioze për involvim të nëpunësve policorë, duke më përfshirë edhe mua se gjoja më ka rënë telefoni. Ajo është shpifje. Atë telefon unë akoma e kam në shtëpi. Pati edhe një takim ku Goran Naqevski, shprehi shqetësim se të akuzuarit do të ndërrohen”, deklaroi Aleksovski.

Ai në një moment foli edhe për kohën kur ishte komandant i njësisë “Alfat”.

“30 muaj para se të ndodhë ngjarja në auto parkun e njësisë ‘Alfa’, pati automjet Opel Vektra, ngjyrë vishnje. pas nëntorit të vitit 2009 nuk e di çfarë automjete kishte në njësi”, theksoi Sinisha Aleksovski.

Në pyetjen e prokurores Fatime Fetai, nëse para ngjarjes ka pasur ndonjë informatë për trazira, për sulm ndaj stacioneve policore, dëshmitari Sinisha Aleksovski tha se nuk ka pasur informata konkrete.

“Konkretisht, në formë të shkruar nuk patëm të dhëna se do të ndodhë ndonjë ngjarje penale-juridike. Por, para çdo ngjarje të madhe fetare, ndërmerren masa më të larta të sigurisë, posaçërisht për objektet ku tubohej një grup më i madh i njerëzve, ndërkaq në bazë të informatave paraprake për aktivitete nacionaliste dhe esktremiste. Kisha informatë me gojë me nëpunësin policor Zoran Trajkovski se ka lëvizje të grupeve ekstremiste të cilat ato ditë festive mund të sulmojnë stacione policore. E pyeta nëse për këtë zyrtarisht e ka njoftuar MPB-në, DSK Kumanovë dhe strukturat ushtarake. I përmenda se në këtë periudhë të vitit çdoherë ka gjysmë informata, se edhe ata që ilegalisht presin drunj gjoja ishin ekstremistë. I thashë vetëm nëse e konfirmon informatën, të më lajmërojë. Por, nuk ndodhi të më konfirmojë”, deklaroi Aleksovski.

Në pyetjen nga avokati Naser Raufi, se kush e udhëhoqi hetimin për rastin, Aleksovski tha se hetimin e udhëhoqën së bashku edhe BSP dhe DSK.

Për vrasjen e katër djemve dhe peshkatarit afër Liqenit të Smillkovës më 12 prill të vitit 2020, sot i pari dëshmoi ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov.

Ish-ministrat Musa Xhaferi dhe Blerim Bexheti, lidhur me këtë rast do të dëshmojnë në gjykatë më 10 mars.

Baby Boo