Albin Kurti: Ka ardhur koha e Vetëvendosjes! Pakti me Serbinë? U krijua “Jugosllavia e Katërt”


Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti u shpreh në fjalën e tij përpara Këshillit të Përgjithshëm të partisë se me paktin me Beogradin në Washington u krijua “Jugosllavia e Katërt” nga kryeministri Koti, që sipas tij rehabilitoi edhe Serbinë përpara ndërkombëtarëve.

“Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje për Jugosllavinë e katërt siç e kemi thënë ngahera. Ajo nuk po bëhet me ushtri si dikur, por po bëhet me mjete të neoliberalizmit, me rrugë e hekurudha që e nxjerrin Beogradin në Adriatik. Shqiptarët, të Kosovës e të Shqipërisë, në këtë Jugosllavi të katërt, do të jenë vetëm konsumatorë të mallrave serbe, e do të shpresojnë të marrin tarifa rrugore prej kamionave të Serbisë.

Sepse prodhuesit tanë do të mbeten të pambrojtur, e shteti nuk do të ketë mundësi të nxisë ekonominë vendore. Serbia veç këtyre, fitoi edhe rehabilitimin e plotë para syve të Amerikës. Kishte dekada që një president i Serbisë nuk shkonte në Shtëpi të Bardhë, e tash e dërguan dhe e mundësuan këta një gjë të tillë” tha ai.

Për Kurtin tani ka ardhur koha e Vetëvendosjes, prandaj LDK dhe PDK kanë frikë nga populli. “Kemi përballë një pushtet uzurpator, të qeverisë Koti e të kinse-opozitës PDK, të cilët kanë frikë nga zgjedhjet e nga demokracia. Pra, ata që dikur e frikësonin popullin, tash po ju frikësohen zgjedhjeve.

Jo vetëm që s’guxojnë për zgjedhje të përgjithshme, por s’guxojnë as për zgjedhje në komunën e Besianës ku po i vonojnë e po i spostojnë ato. Ata janë të vetëdijshëm se kudo e kurdo që shpallen zgjedhjet, qendrore apo lokale, pushteti i tyre do të zvogëlohet drejt tretjes. Sepse ka ardhur koha e Vetëvendosje!-s” deklaroi ai.

Baby Boo