Alarmante: Të infektuarit me Covid po furnizohen me oksigjen të pasigurt të pompave të benzinës


Spitali i Gjilanit tashmë më shumë se një javë ka kërkuar furnizim emergjent me oksigjen, për shkak të rasteve të shumta të hospitalizuara me COVID-19. Në mungesë të oksigjenit, pacientët janë detyruar që ta blejnë atë në pompa të benzinit. Tashmë më shumë se një javë Spitali i Gjilanit po ballafaqohet me mungesë të oksigjenit, i cili është shumë i nevojshëm për pacientët e infektuar me COVID-19. Në mungesë të tij, pacientët janë detyruar që ta blejnë atë në pompa të benzinit.

E ky oksigjen i cili nuk është as medicinal, me gjithë pajisjet tjera po i kushton atyre mbi 200 euro. Ridvan Murati, i cili që nga vitet e 90-ta merret me shitjen e oksigjenit në Komunën e Gjilanit, ka thënë se ka pasur kërkesa të shumta nga qytetarët për furnizim me oksigjen. Ai ka thënë se oksigjeni që ata e shesin është teknik dhe jo medicinal por që është në përgjegjësinë e qytetarëve se si e përdorin atë.

Sipas tij një bocë me oksigjen dhe pajisje tjera të nevojshme po e shesin për 215 euro. “Ne nuk kemi pasur marrëveshje të lidhur me Spitalin e Gjilanit, por vetë qytetarët kanë ardhur te ne. 15 euro është boca me oksigjen, pastaj janë pajisjet tjera që me të kushtojnë 215 euro, por nëse pacientët i kthejnë pajisjet, atëherë mjetet ju kthehen” ka thënë ai.

Murati ka thënë tutje se për shkak të mungesës së operatorëve të licencuar, ata kanë ndihmuar qytetarët sa i përket furnizimit me oksigjen. Sipas tij, kërkesat e qytetarëve për furnizim janë rritur së fundmi. “Ne kemi kërkuar furnizim prapë por ka mungesë të oksigjenit. Kërkesat e qytetarëve janë rritur me keqardhje por nuk po kemi çfarë të bëjmë ne, duhet të ndërmarrin masa institucionet e jo ne”, ka thënë ai. Se qytetarët po furnizohen me oksigjen në pompa të benzinit, e ka pohuar edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

Ai ka thënë për Express se tashmë që 10 ditë e kanë ngritur çështjen e mungesës së oksigjenit. “Nuk është diçka risi për ne mungesa e oksigjenit sepse si komunë e kemi ngritur këtë shqetësim që 10 ditë. Nuk është se Spitali i Gjilanit nuk ka oksigjen por ka jashtëzakonisht shumë vështirësi në furnizim. Nëse spitali ka rezerva të oksigjenit vetëm për një ditë atëherë është rrezik për qytetarët. Ky është shqetësimi ynë”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se si Komunë nuk e dinë nëse oksigjeni që po marrin qytetarët nga pompat e benzinit është i sigurt, dhe se sipas tij, kjo është përgjegjësi e Spitalit të Gjilanit. Përndryshe, Ismajli ka bërë të ditur që tashmë janë në kontakt edhe me kryetarin e Kumanovës, për furnizim me oksigjen nga kjo komunë. Megjithatë, edhe pse po deklarohen se kanë vështirësi në furnizim, nga Spitali i Gjilanit nuk e kanë pranuar se pacientët janë detyruar ta blejnë vetë oksigjenin.

Drejtori klinik në këtë spital, Ukshin Ismajli, ka thënë për gazetën se asnjëherë nuk kanë mbetur pa oksigjen, që rrjedhimisht edhe nuk kanë kërkuar nga pacientët që ta blejnë atë. “Pa oksigjen asnjëherë të vetme nuk ka mbet spitali. Në momentin që ne nuk kemi mbetur pa oksigjen nuk e kemi kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë ai. Derisa spitalet rajonale po vazhdojnë të kenë mungesë të oksigjenit nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se furnizimi nuk është në kompetencën e tyre.

Ndërsa, vet ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë ditë më parë se ka furnizim me oksigjen, dhe se nuk duhet të krijohet panik te qytetarët. Për furnizimin me oksigjen në pompa të benzinit ka reaguar edhe Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive në platformën CiviKos. Ajo ka thënë se në vendin ku po blihet oksigjeni, familjarët e saj blejnë bombole me gaz vetëm për ngrohje.

“Qaty te Ada Gas ku po blejnë qytetarët e Gilanit bombola me oksigjen, baba jem e blen bombolen me gaz për ngrohje. D.m.th aq vlen jeta jone. Plus me pagu 200+ euro e me përdorë bombolen pa pikë kualifikimi! Me ja nis’ me pi benzine ndoshta po krijojmë antitrupa, si dihet Kështu kur shteti nuk i siguron gjanat bazike e qytetaret duhet me u arrnu me mjete rrethanore” ka shkruajtur ajo në rrjetin e saj social facebook.

Baby Boo