Alarm, shtatë fëmijë të tjerë të dyshuar me fruth


Shtatë raste të reja të dyshuara me fruth janë regjistruar në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup. Të gjitha rastet janë fëmijë të moshës mbi dy vjeç dhe vijnë nga çerdhja “Dielli” e cila ndodhet në lagjen Novo Lisiçe të komunës së Aerodromit. Gjithsej deri më tani, me simptome të fruthit nga e njejta çerdhe janë regjistruar tetë fëmijë. Për të shtatë rastet e regjistruara sot pritet verifikim klinik, ndërkaq siç njoftojnë autoritetet Shëndetësore asnjëri nga fëmijët nuk ka qenë i vaksinuar me vaksinën MRP.

Nga 6 janari e deri më tani, gjithsej 22 persona janë hospitalizuar në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup, 13 prej tyre janë ende në hospitalizim ndërkaq 9 të tjerë janë lëshuar për në shtëpi. Pacienti më i ri është foshnje e moshës 8 muajshe ndësa pacienti më i rritur është i moshës 33 vjeçare.  Deri më tani në Klinikën Infektive në Shkup janë kontrolluar rreth 30 pacientë të cilët janë dyshuar apo janë konstatuar se janë të prekur nga fruthi” – theksuan nga Ministria e Shëndetësisë

Deri më tani në të gjitha pikat e vaksinimit në Shkup janë vaksinuar rreth 1700 fëmijë. Ministria e Shëndetësisë njofton se nëpër pikat vaksinale ka mjaftueshëm sasi vaksinash, dhe të njejtat janë të sigurta dhe kualitative dhe me afat të vlefshëm.

Ndërkohë vazhdon kontrolli inspektorial i Agjencisë së Ilaçeve “Malmed” në kompaninë importuese dhe distributore të vaksinave MRP “Makedonija Lek”. Edhe pse ministri i Shëndetësisë njoftoi dje se deri në fund të ditës së djeshme do të mësohen rezultatet e para të kontrollit inspektorial nëse janë konstatuar parregullsi nga ana e “Makedonija Lek”,  nga “Malmed” nuk japin detaje as sot, duke thënë se ky proces po rrjedh ngadale dhe do të duhet kohë deri në konstatime.

Baby Boo