Aktivistët mjedisorë sigurojnë ulëse në asambletë komunale


Për herë të parë në këto zgjedhje, shumë organizata joqeveritare që në fokus kanë problemet mjedisore, kanë garuar në zgjedhje për asambletë komunale në disa komuna të Maqedonisë së Veriut.
Në të gjitha komunat ku kanë garuar aktivistët mjedisorë kanë arritur të sigurojnë dy ose tri ulëse në Komunën e Shkupit, në atë të Tetovës, Ohrit, Gjevgjelisë, Manastirit, Komunës Qendër dhe atë të Kaposhit të Shkupit.

Në Komunën Qendër të Shkupit, lista e pavarur “Shans për Qendrën”, ka siguruar tri ulëse.
Jane Dimevski, pjesë e kësaj liste për Komunën Qendër të Shkupit, thotë se qytetarët e kanë kuptuar se partitë politike, siç thotë ai, mbrojnë interesat e oligarkëve të ndryshëm që merren me ndërtimtari dhe jo interesat e qytetarëve. Sipas tij, kjo është arsyeja që kjo listë, me një muaj fushatë dhe pa fushatë të kushtueshme apo struktura partiake, arriti të fitojë ulëse në asamble.

“Do të angazhohemi për respektimin e standardeve urbanistike, të cilat tash e një kohë të gjatë neglizhohen nga autoritetet komunale, duke krijuar një kaos të vërtet urbanistik në favor të kompanive të ndërtimit, që kanë lidhje të ngushta me strukturat e partive”, thotë Dimevski.

Ndërkaq, Hamdi Sulejmani, që është zgjedhur asamblist në Komunën e Tetovës, nga lista e pavarur “Më mirë për Tetovën”, thotë për Radion Evropa e Lirë se listat e pavarura, që përbëhen nga organizatat joqeveritare, kanë dëshmuar se janë një zë i fuqishëm i interesave të qytetarëve.
Ai thekson se pavarësisht se nuk ka numër të madh të aktivistëve mjedisorë që janë zgjedhur në asambletë komunale, ata do të jenë kyç për krijimin e shumicës në asambletë komunale.

“Ne e kemi dëshmuar prandaj qytetarët na e besuan votën, pasi duam të angazhohemi për jetë kualitative në qytetet ku jetojmë dhe këto zgjedhje dëshmuan se kemi një popull që është i vetëdijesuar për këtë. Në këto zgjedhje, lista jonë siguroi 3 mijë vota, por shpresoj që në të ardhmen do të kemi më shumë, pasi është absurde të jetojmë rrëzë Sharrit dhe të mos kemi ujë për pije e të thithim ajër të papastër. Pjesëmarrja jonë në asambletë komunale do të mundësojë që qytetarët të jenë të informuar me kohë për çdo veprim që paraqet kërcënim për ambientin jetësor dhe jetën kualitative”, thotë Sulejmani.

Maqedonia e Veriut për vite me radhë ka probleme me ndotjen e mjedisit dhe viteve të fundit, jo rrallë herë qytetet maqedonase kanë qenë në krye të listave botërore si qytete me ajrin më të ndotur.

Baby Boo