Aktakuza e plotë kundër Gucatit e Haradinajt: Veprimet e tyre patën pasoja në dëshmitarë


Gjykata Speciale e ka konfirmuar të hënën aktakuzën kundër dy krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Aktakuza afro 20-faqëshe kundër tyre është publikuar në formë të redaktuar. Gucati e Haradinaj akuzohen për nxjerrjen e dokumenteve konfidenciale të Gjykatës Speciale për tri herë me radhë gjatë shtatorit të këtij viti.

Specialja e akuzon kryetarin dhe nënkryetarin e veteranëve të luftës se përmendën emra të personave që kishin bashkëpunuar me Task Forcën Hetimore Speciale (TFHS), e cila kishte ka kryer hetime penale për pretendimet që përmbante Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), i vitit 2011, me titull “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”.

“Më 16 shtator 2020, Hysni GUCATI dhe Nasim HARADINAJ, përkatësisht në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit të OVL-UÇK-së, mbajtën konferencë për shtyp (‘konferenca e dytë për shtyp’) në të cilën Hysni GUCATI deklaroi se OVL-UÇK-ja kishte marrë një paketë tjetër dokumentesh. Ai u tha të pranishmëve se mund t’i merrnin dokumentet (‘dokumentet e nxjerra gjatë herës së dytë’). Ndërsa po tregonte njërin nga dokumentet, Hysni GUCATI përmendi me emër dy persona që kishin bashkëpunuar me TFHS-në. 14. Nasim HARADINAJ përsëriti emrin e një personi që tashmë ishte përmendur nga Hysni GUCATI, përmendi me emër një person tjetër që kishte bashkëpunuar me TFHS-në, dhe zbuloi informacion konfidencial dhe jopublik të mëtejmë në lidhje me hetimet konfidenciale.

Nasim HARADINAJ u tha të pranishmëve në konferencën e dytë për shtyp se dokumentet ishin në dispozicion për të gjithë dhe u tha të pranishmëve që t’i merrnin ato”, thuhet në aktakuzë.

Përmes konferencave për shtyp, Gucati e Haradinaj dhe disa tjerë që nuk përmenden me emra, akuzohen se penguan ose tentuan t’i pengonin procedurat e Dhomave të Specializuara. Dy ish-krerët e OVL-së, sipas aktakuzës ishin organizatorë të një grupi që ua ofroi publikut dokumentet konfidenciale të speciales. “Midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, Hysni GUCATI, Nasim HARADINAJ, dhe disa të tjerë (‘ndihmësit’), me anë të kërcënimit të rëndë dhe/ose duke vepruar bashkërisht, penguan ose tentuan të pengonin procedurat e DHS-së. Hysni GUCATI dhe Nasim HARADINAJ organizuan dhe bashkërenduan grupin që kreu veprime të tilla.

Në veçanti, sikurse përshkruhet në paragrafët 6-9, 11-14, 16-18, dhe 20-21, në më shumë raste midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, Hysni GUCATI, Nasim HARADINAJ, dhe/ose ndihmësit (i) shpërndanë informacionin konfidencial; (ii) akuzuan dëshmitarët e përmendur në informacionin konfidencial se ishin, ndër të tjera, gënjeshtarë, spiunë dhe tradhtarë; dhe (iii) deklaruan se me shpërndarjen e informacionit konfidencial dhe veprimet e tjera në lidhje me të, ata kishin për qëllim pengimin e procedurave të DHS-së”, thuhet në aktakuzë.

Sipas akuzave, veprimet e Gucatit e Haradinajt bënë që të rrezikohej hetimi dhe ndjekja e efektshme e krimeve dhe kishin pasoja reale në dëshimtarë. “Së fundi, sikurse përshkruhet në paragrafin 22, veprimet e Hysni GUCATIT, Nasim HARADINAJT, dhe/ose të ndihmësve penguan ose tentuan të pengonin procedurat e DHS-së: (i) frikësuan dëshmitarë; (ii) rrezikuan aftësinë e ZPS-së për hetimin dhe ndjekjen penale të efektshme të krimeve, përfshirë nëpërmjet marrjes dhe sigurimit të provave të rëndësishme; dhe (iii) ZPS-ja përqendroi kapacitetet dhe kohën e vet në trajtimin e pasojave reale dhe të mundshme ndër të tjera për dëshmitarët dhe procedurat e DHS-së”, thuhet në aktakuzë.

Kryeprokurori i Speciales, Jack Smith i akuzon ata se frikësuan dëshmitarë dhe anëtarë të familjeve të tyre duke ia vënë në rrezik sigurinë dhe jetesën e tyre. “Në veçanti, veprimet dhe mosveprimet e përshkruara në paragrafin 30 më lart shkelën të drejtat themelore të dëshmitarëve të garantuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Konventën Evropiane për Të Drejtat e Njeriut. U frikësuan dëshmitarë dhe/ose anëtarë të familjeve të tyre dhe u vunë në rrezik siguria, privatësia, reputacioni dhe jetesa e tyre”, thuhet tutje në aktakuzën e publikuar.

Baby Boo