Aksioni gueril para Kuvendit – Kovaçevski, Osmani e Mariçiq “dënohen” me nga 101 vjet burg


Gjykata e popullit i shpall fajtorë për tradhti, personin Dimitar Kovaçevski me 101 vjet burg për tradhti, personin Bujar Osmani me 101 vjet burg për tradhti dhe personin Bojan Mariçiq me 101 vjet burg për tradhti.

“Aktvendim” të këtillë sollën aktivistët e Unionit të të rinjve të VMRO-DPMNE-së në aksionin e sotëm gueril.
Edhe pse numri i qytetarëve u ul në mënyrë evidente, megjithatë vazhdojnë protestat para Kuvendit. Qytetarët nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre që Qeveria dhe Kuvendi ta hedhin poshtë propozimin francez, raportoi gazetari Martin Nikollovski.

Qytetarët nuk u besojnë fjalëve të shefes së Komisionit evropian, Ursula von der Lajen se gjuha dhe identiteti maqedonas janë të mbrojtur dhe porositën se nuk do të lejojnë që BE-ja dhe Bullgaria ta kenë Maqedoninë nën komandën e saj.

-Çfarë të mendoj, gjithçka është gënjeshtër, nuk ka çfarë për t’u menduar, gjithçka është e paramenduar. Gjithçka po zhvillohet sipas kërkesave të Bullgarisë fashiste. Ne jemi këtu, protestojmë dhe asnjëherë nuk do të pranojmë komandën e BE-së dhe Bullgarisë fashiste.

-Këtë Kuvend që e kemi për momentin, ta mos e shohim më asnjëherë, para opinionit publik dhe para institucioneve do të mbajnë përgjegjësi.
-Nuk kam besim tek asgjë, çdokujt që do të vijë në Maqedoni për të kryer terrorizëm të këtillë, turp t’i vijë. Ne jemi maqedonas dhe do të mbetemi maqedonas deri në fund!

Aktivistët e “Së Majtës” të cilët pothuajse dy javë kampojnë para qeverisë dhe kuvendit, thonë se atje do të mbeten deri më 1 shtator dhe se nuk do të lejojnë që Kushtetuta të ndryshohet.
Do të mbetemi këtu deri në shtator. Deri më 1 shtator sigurisht do të jemi këtu, kjo është e drejta jonë qytetare. Përndryshe çfarë të them më shumë, e shihni se janë së bashku, bishë me tre koka, LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI.

Protestat filluan më 2 korrik, dy ditë pasi BE-ja ua dorëzoi autoriteteve maqedonase propozimin francez. Që nga fillimi i protestave kundër këtij propozimi sipas informacioneve të MPB-së, u lënduan 54 policë, prej të cilëve 11 pësuan lëndime më të rënda, 38 persona janë arrestuar ndërsa kundër 21 persona është dorëzuar padi penale.

Baby Boo