Ahmeti takon Ambasadorin e ODIHR


Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka takuar Ambasadorin e misionit të ODIHR në Maqedoni, z. Jan Petersen. Ahmeti dhe Petersen diskutuan mbi referendumin e 30 shtatorit, Marrëveshjen e Prespës si dhe situatën politike në vend. Ai njoftoi Ambasadorin Petersen që BDI është e përkushtuar për mbarëvajtjen e referendumit dhe që tashmë ka themeluar Shtabin Qendror për referendum si dhe 35 shtabe komunale, ndërsa do të nis me fushatën në teren që nga dita e nesërme me tubimin e parë në Tetovë. Ahmeti foli për rëndësinë e referendumit që paraqet një mundësi për qytetarët që përfundimisht të përcaktohen për integrim euroatlantik të Maqedonisë duke marrë parasysh se për gati dy dekada me radhë, mbi 80% të qytetarëve përkrahin anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ahmeti shfrytëzoi rastin për të ftuar edhe një herë opozitën që të del më 30 shtator dhe të bëhet pjesë përbërëse e suksesit të përbashkët.