Ahmeti – Riker: Të punohet në avancimin e gjyqësisë dhe marrëdhëniet me fqinjët


Ushtruesi i detyrës ndihmës sekretar shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker në takimin e sotëm me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël, kanë biseduar për ngjarjet aktuale politike në shtet. Dy bashkëbiseduesit u pajtuan se duhet të punohet në avancimin e gjyqësisë dhe marrëdhëniet me fqinjët, raporton gazeta KOHA.

“Biseduam për çështje të rëndësishme, për përpjekjet tona që i bëjmë për sundimin e së drejtës në vendin tonë. Po ashtu biseduam rreth ligjit për prokurori publike, për arritjen e rezultateve në reformat, posaçërisht në gjyqësi, si dhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me fqinjët. Një nga temat ishte zhvillimi i marrëdhënieve të vendit me rajonin që të kemi Ballkan Perëndimor më të qetë. Për këtë shkak nevojitet komunikim më i mirë dhe më i fuqishëm, me ç’rast ndihmës – sekretari na inkurajoi që këto procese t’i përforcojmë”, deklaroi Ahmeti pas takimit.

Ai theksoi se mbetet përkrahja nga ana e SHBA-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nuk ka vërejtje konkrete nga ana e tyre.

“Vetëm kërkohet konsolidim më i fuqishëm i institucioneve, posaçërisht të atyre që e implementojnë ligjin”, tha lideri i BDI-së.

Në pyetjen e gazetarëve çka nëse opozita nuk voton për ligjin për prokurori publike, Ahmeti thotë se bashkësia ndërkombëtare si partnerë strategjikë të vendit kërkon që ky ligj sa më shpejtë të miratohet.

“Lidhur me opozitën, ata duhet të kenë parasysh se duhet të komunikojnë dhe bashkëpunojnë me forcat politike në vend, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare, për shkak se çështjet janë aq të lidhura njëra me tjetrën”, tha Ahmeti.

Baby Boo